Shqipëria rizgjidhet në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s

Shqipëria rizgjidhet në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s

09 nëntor 2017 14:23

Shqipëria është rizgjidhur në Bordin Ekzekutiv të Organizatës për Edukim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).

Përmes një njoftimi në rrjetin social “Facebook”, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, theksoi se “Shqipëria do të vijojë të japë kontributin e saj në fushën e arsimit, shkencës, komunikimit, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, shpirtërore dhe natyrore”.

“Në këtë mënyrë, ne vijojmë si anëtar të Bordit Ekzekutiv për periudhën 2017-2021”, u shpreh Bushati.

Butrinti, Gjirokastra dhe Berati janë ndër pasuritë kulturore mijëravjeçare të Shqipërisë që mbajnë “pasaportën” e UNESCO-s, ku vendi aderon që prej vitit 1958.

Në listën e kryeveprave të kulturës orale e jomateriale të botës, midis 43 shprehive më spikatëse kulturore të popujve të gjithë botës, UNESCO-ja ka regjistruar edhe iso-polifoninë shqiptare të jugut.

Ndërsa “Kodikët e Beratit” figurojnë në regjistrin “Kujtesa e Botës”.

Në tetor 2014, UNESCO-ja u dha një status të veçantë mbrojtjeje hapësirave përreth liqeneve të Ohrit dhe Prespës. Në këtë mënyrë, për këtë zonë do të ketë më shumë mbrojtje nga dëmtimet falë statusit “rezerva ndërkufitare” që mori nga UNESCO-ja.

Por janë edhe disa site të tjera arkeologjike, të cilat qëndrojnë ende në listën e pritjes së UNESCO-s, siç janë Varret e Selcës së Poshtme (1996), Amfiteatri i Durrësit (1996) dhe Qyteti Antik i Apollonisë (2014).

Komentet

Shto koment

Të ngjashme