Monumenti kontrovers kundër luftës do të vendoset në Berlin

Monumenti kontrovers kundër luftës do të vendoset në Berlin

09 nëntor 2017 14:10

Berlin, 9 nëntor - Vepra e artit 12-metërshe e lartë, “Monument”, nga artisti gjermano-sirian Manaf Halbouni do të zërë vend pranë Portës së Brandenburgut prej datës 26 të muajit nëntor, shkruan DW, transmeton sot “Koha Ditore”. Këtë lajm e kanë bërë të ditur iniciatorët e projektit nga “Maxi Gorki Theater”. Instalacioni, i përbërë nga tre autobusë të ngritur vertikalisht, përfaqëson autobusët që janë përdorur si barrikada që civilët në Aleppo të Sirisë i kishin ngritur në vitin 2015 gjatë operacioneve luftarake në qytet për të mbrojtur veten nga snajperët. Artisti ka thënë se qëllimisht ka përdorur autobusë që nuk janë rrënuar si simbol i paqes, që është prezente në Gjermani – për dallim me Sirinë.

Që nga muaji shkurt deri në prill të këtij viti, kjo skulpturë ka qëndruar para “Dresden Frauenkirche”, kishë e restauruar e cila ka shërbyer si simbol i paqes dhe faljes pas Luftës së Dytë Botërore.

Kjo vepër arti shkaktoi protesta masive që u organizuan nga mbështetësit e së djathtës ekstreme, partisë AfD dhe lëvizjes ksenofobie “Pegida”. Kryetari i Komunës së Dresdenit, Dirk Hilbert madje pranoi kërcënime me jetë prej atyre që e kundërshtonin veprën e artit.

Halbouni në atë kohë e mbrojti veprën e tij, duke thënë se shpreson që Aleppo do të mundë të restaurohet në mënyrën e njëjtë sikurse Dresdeni pas Luftës së Dytë Botërore.

Në Berlin, “Monument”, do të prezantohet si pjesë e “3. Berliner Herbstsalon" (Salloni i Tretë i Vjeshtës), të “Maxim Gorki Theater”, në kuadër të ngjarjes publike që nga organizatorët po përshkruhet si “rebelim kundër atributeve, gjeneralizimeve dhe thjeshtësimeve”.

Senatori kulturor i Berlinit, Klaus Lederer mirëpriti lokacionin e ri për instalacionin e Halbounit afër Portës së Brandenburgut. Vepra do të shpaloset në një lokacion ,“i cili qëndron për liri dhe tradita demokratike për të cilat është luftuar dhe janë mbajtur në mënyrë paqësore”. Ai po ashtu ka theksuar se skulptura duhet të jetë “pika nisëse e diskutimeve se si mund të kalohen shkatërrimi, vuajtja dhe lufta, dhe sa është i mundur pajtimi”

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme