Kulturë

Filmi “T’padashtun” i Kosovës, i propozuar për Oscar, shfaqet në LA Screenings

Descriptive Text

Filmi “T’padashtun”, që trajton dramat dhe traumat e shkaktuara nga lufta e vitit 1999 në Kosovë, me regji të Edon Rizvanolli është shfaqur ditët e fundit në festivalin LA Screenings, që zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I shfaqur nën kujdesin e European Film Promotion (EFP), i cili çdo vit fokusohet në shfaqjen dhe promovimin e filmave evropianë të propozuar për Akademinë Oscar, film do të shfaqet edhe sot në Chapman University ku do të jetë i pranishëm edhe regjisori Edon Rizvanolli.

‘T’padashtun’ është dramë e cila merret me pasojat dhe traumat e shkaktuara nga lufta e vitit 1999 në Kosovë. Filmi trajton ngjarjen e një adoleshenti, i cili jeton me nënën e tij kosovare në Amsterdam dhe që rikthimi i traumave të nënës së tij ia rrotullojnë botën. Në rolet kryesore janë Adriana Matoshi dhe Jason de Ridder.

Nga 92 filma që garojnë për kategorinë ‘Filmi më i mirë i huaj’, 28 prej tyre do të shfaqen në kuadër të LA Screening të organizuar nga European Film Promotion. Prej këtij numri rekord të propozimeve, vetëm 9 nga 92 do të kalojnë në rrethin e ngushtë dhe në fund të janarit 2018 do të publikohen 5 filmat që do të nominohen për këtë kategori.

European Film Promotion është e mbështetur nga Creative Europe- Media Program e Bashkimit Evropian dhe nga organizatat anëtare të EFP-së, ku bënë pjesë edhe QKK-ja.