Kulturë

Inva Mula koncert me shqiptarët më të famshëm në Vjenë

Inva Mula fton të gjithë artdashësit që me datën 16 nëntor 2017, në sallën Moxart, në Vjënë, ora 19:00 të jenë pjesë e koncertit të saj.

“Në këtë koncert do të jem përkrah muzikantëve dhe kërcimtarëve të shkëlqyer shqiptarë dhe austriakë. Në program do të ketë vepra nga më të bukurat e muzikës botërore dhe asaj shqiptare. Ju presim..të bëjmë muzikë për ju dhe bashkë me ju…”, me këto fjalë e lajmëron pianisti Genc Tukiçi koncertin që do të mbajë sopranoja me famë botërore Inva Mula më datë 16 nëntor në Vjenë.

Koncerti do të mbledhë artistët shqiptarë më të famshëm në skenat botërore. Ndërkohë që Tukiçi ka postuar edhe posterin.

Mësojmë se në këtë koncert bashkohen balerini Eno Peçi, i shoqëruar nga Volkhard Steude, Kuarteti i Filarmonisë Vjeneze dhe Maria Yakovleva, primabalerina e Operës Shtetërore të Vjenës.

Artistë të tjerë që do të perfomojnë me Inva Mulën në koncert janë pianisti Genc Tukiçi, baritoni Gezim Myshketa, violinisti Olen Cezari dhe disa emra të tjerë të njohur të muzikës shqipe nëpër botë. Koncerti ‘Vienna salutes to Tirana’ do të mbahet në radhën e organizimeve kulturore për nderë të bashkëpunimit të ri Austri-Shqipëri 2018.