Folklori bashkon komunitetin shqiptar në New York

Folklori bashkon komunitetin shqiptar në New York

06 nëntor 2017 09:43

Festivali Folklorik Mbarëkombëtar ka mbledhur dje në New York , SHBA, qindra solistë, valltarë, grupe muzikore dhe ansamble nga komuniteti shqiptaro-amerikan, si dhe nga trojet mbarëshqiptare.

Mesazhi i këtij festivali, që këtë vit i dedikohet 550 vjetorit të heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, është ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë të prekshme dhe asaj shpirtërore.

I organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” me seli në Hartsdale në New York edicioni i 27-të i këtij festivali zhvillohet në Qendrën e Arteve të Kolegjit Lehman në lagjen Bronks të New Yorkut.

Një rol qëndror në këtë organizim ka grupi i parë artistiko kulturor brenda komunitetit amerikan “Rozafati”, i themeluar para tri dekadash pranë Qendrës Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” në New York.

“Në fakt është Rozafati pothuaj organizator i këtij festivali dhe Angjelina Nika është ajo që u mëson qindra fëmijëve vallen shqipe në sallën e Qendrës Kulturore Shën Nënë Tereza. Dhe, nuk ka çmim që e paguan kontributin e Angjelinës dhe rolin e saj në ruajtjen e këtyre vlerave tona kulturore”, tha për RTK-në Marjan Cubi, kryetar i Qendrës Kulturore Nënë Tereza, pranë Kishës Zoja e Shkodrës në Hartsdale.

Fëmijët e këtij grupi nga tre shtetet: Nju Jork, Nju Xhersi dhe Konektikat nga mosha 5 deri ne 23 vjeç çdo javë ushtrojnë vallet shqiptare në qendrën “Shën Nënë Tereza”, në Harsdale nga koreografja Angjelina Nika, ish valltare e Ansamblit Shtetëror të Shqipërisë e dekoruar nga presidenti Nishani me çmimin ” Mjeshtër i Madh”.

“Këtu çdo vit nëpër duart tona kalojnë me qindra fëmijë, të cilëve ua mësojmë vallet dhe kostumet nga Kosova,Shqipëria, Çamëria dhe të gjitha trojet mbarëshqiptare dhe c;është më e rëndësishmja, këtu fëmijët kur vinë flasin shqip. Ne përkujdesemi që vallet tona t’ i dinë fëmijët tanë që ata t’ua mësojnë fëmijëve të tyre dhe kështu këtë trashëgimi kulturore ta bartim në brezat që vijnë se nëse ne e harrojmë fëmijët tanë nuk do të dinë fare për të…”, tha për RTK-në koreografja Angjelina Nika.

Misioni i këtij Festivali gjithëshqiptar është përpjekja për të identifikuar, dokumentuar e prezantuar folklorin mbarëkombëtar shqiptar, të mbajë të bashkuar komunitetin shqiptar, pa dallim feje apo krahine.

Festivali ka si qëllim edhe ruajtjen dhe përkrahjen e traditës muzikore dhe folklorike autoktone shqiptare si dhe siguron që ato të vazhdojnë të ekzistojnë, të përcillen dhe të kenë domethënie për brezat e ardhshëm.

Image

Komentet

Shto koment

Të ngjashme