Historia e jashtëzakonshme e heroinave të Holokaustit do të bëhet film

Historia e jashtëzakonshme e heroinave të Holokaustit do të bëhet film

06 nëntor 2017 12:00

Rrëfimi i jashtëzakonshëm i dy motrave britanike që u shndërruan në heroina të pazakonshme, duke ndihmuar hebrenjtë për t’iu shpëtuar persekutimit nazist, që do të shfaqet në ekranin e madh.

Ida dhe Louise Cook ishin dy sekretare të thjeshta të shërbimit civil, pasioni për operë i së cilave u bë pretekst për të udhëtuar vazhdimisht në Gjermani, në vitet ’30. Thuhet në shkrimin e The Guardian, që sot e transmeton “Koha Ditore”. Derisa bënin shëtitje nëpër shtëpitë operistike të këtij vendi, ato gjithashtu siguruan një strehë të sigurt për dhjetëra njerëz, të cilët në të kundërtën do të kishin pësuar gjatë Holokaustit.

Tani, një film i metrazhit të gjatë artistik, me titull “The Cooks”, është duke u realizuar nga Donald Rosenfeld, ish-president i “Merchant Ivory Productions”, i cili kishte realizuar klasikë si “Howards End” me protagoniste Emma Thompson. Duke qenë se ka bashkëpunuar në katër produksione me Thomson – e me një projekt të pestë që tashmë është në realizim e sipër- Rosenfeld do të dëshironte që ajo të portretizonte njërën nga motrat Cook, përkrah me fituesen e çmimit “Oscar”, Cate Blanchett.

Ai e ka vlerësuar lart guximin e motrave Cook. Ato kishin krijuar kontakte me nazistët e shtresës më të lartë nëpër shtëpi operistike, derisa u ndihmonin njerëzve të largoheshin prej vendeve me rrezik. Duke e kujtuar një mjuzikël që flet për ikjen e familjes Trapp nga nazistët, ai e ka përshkruar rrëfimin e motrave Cook, si “’Sound of Music’ i vërtetë”. Problemi është që nëse do të ishte film fiktiv, atëherë do të ishte i pabesueshëm. Si qe e munduar që ato të dyja të paguanin vizitat e tyre në Gjermani me pagën e një sekretareje? Në librin me kujtime që kishte shkruar Ida Cook, më 1950, ajo kishte shkruar se si kishin kursyer paratë për ta realizuar udhëtimin e tyre të parë drejt shtëpive operistike. Filmbërësit dyshojnë që motrat ishin gjithashtu spiune për Qeverinë britanike. Hulumtimi për to ka çuar në zbulimin e dosjeve zyrtare që ruhen nga CIA, e që ishin krejtësisht të mbyllura. Ata shpresojnë që dy senatorë dhe një avokat do t’iu ndihmojnë t’i hapin.

“Fakti që ka dosje në CIA nënkupton që mbase janë dosje në ‘MI6’”, ka thënë Rosenfeld.

“Është një rrëfim i jashtëzakonshëm i këtyre dy motrave që kishin jetuar së bashku. Ato asnjëherë nuk kishin pasur bashkëshortë apo fëmijë. Ato përbëjnë role të jashtëzakonshme për dy aktore”, ka shtuar ai.

Të lindura në Sunderland, motrat kishin ndarë një shtëpi modeste në Wandsworth, në jug të Londrës. Pasioni i tyre për muzikën kishte dalë në pah vonë, pasi që Louise kishte dëgjuar disa incizime të Puccinit. Udhëtimet e para në Gjermani pjesërisht i kishin financuar me paratë që merrte Ida, e cila shkruante romane dashurie për “Mills and Boon”, nën pseudonimin Mary Burchell. E megjithatë, siç thotë Rosenfeld, kjo nuk e sqaron krejtësisht sesi ato i kishin përballuar pagesat për fluturime.

“Nuk ka pasur shërbim ajror nëpër Evropë. Ato i kanë bërë këto fluturime nën diktaturën që ishte gati ta pushtonte Francën. Këtë gjë e kanë bërë me vite të tëra, duke shkuar nëpër qytete të ndryshme ku shfaqeshin opera. Shpenzimet do të mundë të ishin marramendëse. Nuk ka mënyrë që ato kanë mundur t’i përballojnë shpenzimet”, ka thënë ai.

Ndërmjet vitit 1937 dhe shpërthimit të luftës, Cook u kishin ndihmuar dhjetëra njerëzve të largoheshin, përfshirë edhe Lisa Basch, vajzës së intelektualëve gjermano-austriakë, e cila kishte thënë se motrat e kishin shpëtuar atë nga dhoma e gazit. Në njëfarë mënyre, motrat Cook ia kishin dalë të siguronin mjete financiare që nevojiteshin për refugjatët hebrenj, të cilët vinin në Britani të Madhe. Ato nuk lejoheshin të flinin nga Gjermania me gjërat që posedonin, kështu që motrat i kontrabandonin të gjitha që kishin kur kalonin kufirin. Ato dukeshin aq të zakonshme në kostumet zyrtare saqë asnjëherë askush nuk dyshonte që bartnin me vete diamant apo stoli të tjera.

Isabel Vincent, një reportere hulumtuese është duke e gjurmuar rrëfimin e tyre dhe do ta shkruajë skenarin e filmit, sikurse edhe një libër. Ajo beson që motrat kishin përkrahjen e qarqeve të larta. Ato qëndronin në hotelet më të mira të asaj kohe. Mes dosjeve që mbahen në “Blythe House” në Londër, Vincent ka parë edhe programet e operave që i kishin ruajtur motrat, përfshirë edhe një nga Munich më 1938. Filmbërësit kanë rreth 27 adresa në dhe përreth Londrës të njerëzve që mund t’u ndihmojnë për të marrë informacione për motrat. Ida dhe Louise kishin vdekur më 1968, respektivisht 1991. Më 2010 ato qenë nderuar nga Qeveria britanike si heroina të Holokaustit. “Ato ishin heroina të mëdha”, ka thënë Rosenfeld.

“Ky film është mundësi për të bërë një nderim global për to”.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme