Kulturë

“Mitet dhe kultet në prehistorinë shqiptare” dëshmohen me gjetje arkeologjike

Tiranë, 14 mars - Artefaktet e ndryshme që janë dëshmi e mënyrës së jetës së ilirëve, siç janë pllakat me kultin e diellit, ato që i janë kushtuar gjarprit si kult, stolitë e statujat e vogla të qeramikës janë ekspozuar në Muzeun Kombëtar Historik në Tiranë.

Kësisoj projekti “Një pasdite në muze” është duke shërbyer për njohjen e vlerave të trashëgimisë kulturore, qëllim ky që zë vend edhe në kuadër të programit të vetë Muzeut, shkruan sot “Koha Ditore”. Në kuadër të ekspozitës me titull “Mitet dhe kultet në prehistorinë shqiptare” janë prezantuar zbulimet arkeologjike që përkojnë me këtë koncept.

Sipas mediave shqiptare, arkeologu Adem Buguri ka sjellë për vizitorët disa fakte të panjohura të qytetërimeve ilire e parailire.

“Terakota apo figurina femërore janë gjetur në të gjitha vendbanimet tona neolitike. Podgoria ku është e pasqyruar peshku e zogu. Gjarpri ka luajtur rol të rëndësishëm në mitologjinë ilire, gjatë shekullit të pestë para Krishtit dhe më vonë gjetje me simbolin e gjarprit janë gjetur në të gjithë trevën ilire”, citohet të ketë thënë ai.

Drejtori i Muzeut Historik të Tiranës, Dorian Koçi, ka thënë se zbulimet kanë rol vendimtar në formimin e identitetit të shqiptarëve në trojet ku ata jetojnë, rrënjët e të cilëve gjenden në lashtësi.

“Këto mite janë pjesë e një substrati, i cili ka ushqyer kohë më vonë mitologjinë e vjetër greko-romake dhe atë ilire. Vepra të mëdha të antikitetit me të cilat etnia jonë është krenare”, ka thënë Koçi.

Sipas tij, Shqipëria është një vend që posedon artefakte të mjaftueshme për të prezantuar jetën parahistorike në këtë hapësirë.

“Ne jemi një vend i pasur me materiale të tilla prehistorike në pavijonin e arkeologjisë ka stenda të posaçme në të cilat ka materiale të bollshme të kësaj periudhe”, citohet të ketë thënë ai.

“Ajo që ndoshta nuk ka ardhur drejtpërdrejt në vëmendjen e publikut është sepse ashtu siç dihet periudha iliro-helenike apo dhe ajo romake me skulpturat e saj e ka monopolizuar antikitetin e kohës, sepse ka struktura më të bukura ne skulptura antropomorfe të cilat krijojnë dhe quhen thesare kulturore”. Prezantimi i gjetjeve arkeologjike të zbuluara në territoret shqiptare do të vijojë edhe në të ardhmen me qëllim që të bëhen publike pasuritë nëntokësore të shtetit shqiptar.