Kompozitori i veprave që s’e humbin tingullin shqip

Kompozitori i veprave që s’e humbin tingullin shqip

05 nëntor 2017 11:22

Viteve të fundit, kompozitori kosovar Memli Kelmendi është fokusuar te veprat korale. “As vetë nuk di ta shpjegojë përse”, thotë ai. Por kur fillon e shpalos ndjenjën që i jep kjo muzikë, atëherë gjithçka bëhet e qartë.

Sukseset që po arrin me vepra të tilla sikur e shtyjnë që të përkushtohet më shumë. Vokalin ai e konsideron si një instrument delikat prapa të cilit fshihet një orkestër e tërë, shkruan sot “Koha Ditore”. Muzikën vokale ai ndryshe e konsideron edhe si hyjnore. Thotë se energjia që gjen kur është përballë korit i jep shtysë që të shprehë të gjitha emocionet që ka brenda.

E Kelmendi është edhe më shumë se vetëm një kompozitor i veprave korale. Ai është dirigjent, profesor dhe në krijimtarinë e tij ka muzikë për film, teatër dhe formacione të ndryshme instrumentesh. Dëshira për të eksperimentuar dhe sfiduar veten e kanë shtyrë që të kompozojë edhe vepra të muzikës elektroakustike.

Pra bashkëkohorja dhe klasikja ndeshen diku në një pikë për të, duke krijuar kështu një karrierë goxha të pasur artistike për moshën që ka. Ai është 31-vjeçar. Një tjetër element që karakterizon atë dhe veprat e tij është edhe ruajtja me fanatizëm e vlerave të muzikës tradicionale.

Në fakt këtë e ka më shumë si mision. Duke ndërthurur elemente të folklorit ai mëton që vlerat e vendit t’i prezantojë jashtë shtetit. E deri më tani, pos në Kosovë veprat e tij janë luajtur në Francë, ShBA, Kroaci, Turqi, Filipine, Argjentinë, Itali, Bosnjë e Maqedoni... (më gjerësisht lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme