Kulturë

Ministria e Kulturës ndan çmimet vjetore, Hysaj nderohet për “Vepër Jetësore”

Regjisori Fadil Hysaj e ka fituar këtë vit Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore, të ndarë nga Ministria e Kulturës.

Kryetari i jurisë, Agim Selimi, në ceremoninë e dhënies së çmimeve, tha se Hysaj në vazhdimësi ka qenë tejet i përkushtuar në ngritjen e vlerave të artit skenik.

Sipas tij, regjisori Hysaj ka arritur që me kreativitetin e llojit të tij të sjellë suksese të mëdha për disa dekada.

Ndërsa vetë fituesi i çmimit, Hysaj, duke falënderuar për vlerësimin që i është bërë, tha se këtë çmim ua dedikon gjithë personazheve të përfshira në shfaqjet e tij dhe aktorëve të cilët tashmë nuk ndodhen më në mesin tonë.

Kurse çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë për vitin 2016 u nda për shfaqjen “Eshtrat që vijnë vonë”, me tekst të Teki Dervishit, nën regjinë e Martin Koçovskit.

Po ashtu në këtë ceremoni u nda edhe çmimi për regjinë më të mirë që iu dorëzua regjisores Sevdije Ajeti, për shfaqjen “Sapotlem” të autorit Juan Jose Arreola.

Ndërkaq, balerini Sinan Kajtazi e ka fituar çmimin për aktorin më të mirë për rolin kryesor Albert, në shfaqjen e baletit “Zhizell”.

Çmimi për prezantimin më të suksesshëm ndërkombëtar u nda për Qendrën “Multimedia”.