Vazhdon puna restauruese-konservuese në shtëpinë e Okqabollëve në Prizren

Vazhdon puna restauruese-konservuese në shtëpinë e Okqabollëve në Prizren

03 nëntor 2017 10:01

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka filluar së zbatuari projektin për ndërhyrje emergjente në shtëpinë e familjes Okqaboll në Prizren.

Ky projekt është në kuadër të programit të QRTK Prizren për ndërhyrje emergjente në ndërtesat rrezikuara të trashëgimisë kulturore.

Projekti financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe zbatohet përmes Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.

Shtëpia e familjes Okqaboll paraqet një shembull reprezentativ të arkitekturës së banimit të shek. XIX. Forma, organizimi funksional, teknika e ndërtimit, marrëdhënia e vendosjes së shtëpisë në relacion me rrugën, paraqesin elementet kyçe nëpërmjet të cilave ky monument sot interpreton ndërlidhjen e ngushtë ndërmjet kulturës së banimit të transformuar ndër shekuj.

Shtëpia i takon tipit të shtëpive me çardak anësor, një nga shembujt e rrallë që ruhen akoma në Prizren dhe si e tillë ka vlera historike, artistike, shoqërore dhe të raritetit.

Bazuar në inspektimin pamor, ndërtesa është në gjendje të keqe fizike si rezultat i depërtimit të lagështisë nga struktura e amortizuar e kulmit.

Duke u nisur nga vlerësimi i gjendjes, ndërtesa është përzgjedhur për ndërhyrje emergjente, për të parandalu​​ar dëmtimin e mëtejmë dhe për të siguruar ruajtjen e vlerave të saj.​

 

Komentet

Shto koment

Të ngjashme