Projekti për shtatoren e Anton Çettës mbetet edhe pa buxhet

Projekti për shtatoren e Anton Çettës mbetet edhe pa buxhet

03 nëntor 2017 08:54

Prishtinë, 3 nëntor - Institucionet kosovare pos që gjatë një viti nuk kanë mundur të merren vesh rreth lokacionit për shtatoren e Anton Çettës, këtë projekt e kanë lënë pa buxhet. Përderisa për Këshillin organizativ që synon ngritjen e shtatores së pajtuesit të gjaqeve e mbledhësit të folklorit, situata është tejet e papranueshme, zyrtarët qeveritarë kanë thënë se buxheti për këtë projekt mund të parashihet për vitin e ardhshëm. Por edhe kjo ka pak gjasë të ndodhë.

Tetë muaj pasi ishte caktuar edhe dita e vënies së gurit themeltar për bazamentin e shtatores, në oborrin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, procesi ka bërë hapa prapa. Hapësira për këtë shtatore nuk dihet se ku do të jetë, leja për ngritjen e saj ka skaduar e buxhetin e ka tërhequr Qeveria.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka thënë se 50 mijë eurot e parapara janë marrë nga Qeveria paraprake në kuadër të shkurtimeve buxhetore, para se ai të emërohet në krye të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Një gjë e tillë nuk u është kumtuar as bartësve të projektit.

Në fillim të marsit të këtij viti Instituti Albanologjik në Prishtinë kishte kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të revokohet leja për vendosjen e shtatores në oborrin e këtij institucioni, me arsyetimin se nuk janë pyetur organet drejtuese të tij. Ata ende nuk kanë hequr dorë nga kërkesa e tyre. Sipas pëlqimit tashmë të skaduar, shtatorja duhej të vendosej në anën e djathtë të shtegut hyrës për në Institutin Albanologjik, përkatësisht në një kënd të hapësirës së gjelbër. Sipas pëlqimit, IAP-i duhet të njoftohet tetë ditë para se të nisin punimet. Sipas këtij dokumenti, mbi bazamentin që mund të ngrihet mbi tokë deri në 1.2 metra, shtatorja mund të ketë lartësi prej 1.7 deri në 2 metra. Paraprakisht në muajin shkurt të vitit që shkoi, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, po ashtu kishte dhënë pëlqimin për vendosjen e shtatores para objektit të IAP-it (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

FRolegjenda: Në fillim të vitit, 50 mijë euro ishin ndarë për shtatoren e Anton Çettës. Në shkurt ishte paralajmëruar vendosja e gurit themeltar në oborrin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, që reagoi se nuk u pyet fare për këtë projekt, dhe ceremonia u shty. Në mars skadoi afati i lejes, e pesë muaj më vonë u tërhoq edhe buxheti, i cili nuk parashihet as për vitin që vjen.

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme