Palestinezët protestojnë ndaj veprës së Banksyt për Deklaratën e Balfourit

Palestinezët protestojnë ndaj veprës së Banksyt për Deklaratën e Balfourit

02 nëntor 2017 15:05

Londër, 2 nëntor – Protestuesit e kanë prishur “ndejën e rrugës” të organizuar nga artisti Banksy, afër “hotelit” të tij në Betlehem në West Bank, në shënim të 100-vjetorit të Deklaratës së Balfourit që premton “atdheun kombëtar për hebrenjtë” në Palestinë, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e The Guardian. Njerëz nga kampi i refugjatëve “Aida” kanë thënë se e kanë kundërshtuar mënyrën se si kjo ngjarje ka shfrytëzuar fëmijët palestinezë duke i vënë në qendër të vëmendjes së performancës.

“Ne kemi ardhur sepse nuk na ka pëlqyer përdorimi i flamurit britanik apo edhe për mënyrën se si i kanë shfrytëzuar fëmijët palestinezë”, ka thënë Munther Amira, aktivist i rregullt prej “Aidas” i cili kishte vendosur një flamur të madh palestinez në mes të tortës. Ndërhyrja u bë për shkak të ndjeshmërisë dhe qëllimit të ngjarjes, deklaratës qindvjeçare të Balfourit, e cila do të shënohet të enjten me një darkë zyrtare në Londër.

Palestinezët, jo të paktë në Betlehem, janë ndarë në dy taborë. Derisa shumë prej tyre janë falënderues se ka tërhequr vizitorë të huaj për të mësuar më shumë rreth okupimit, të tjerë janë shprehur të pakënaqur se kjo ngjarje ka zbehur zërat e palestinezëve.

Të mërkurën organizatorët e ngjarjes janë kontaktuar për koment. Pasqyrimi i ndejës së Banksyt kishte për qëllim që të satirizojë me festime të tjera, duke përfshirë këtu darkën e së enjtes në të cilën mysafirë do të jenë kryeministrja britanike, Theresa May, dhe homologu i saj izraelit, Benjamin Netanyahu. Dhjetëra fëmijë palestinezë janë ftuar në këtë ngjarje, që ka përfshirë dekorime, flamuj, ëmbëlsira, helmeta të ngjyrosura me flamurin e Mbretërisë së Bashkuar. Ngjarja, po ashtu, përfshiu edhe një vepër të pazbuluar më parë të Banksyt, të gdhendur në murin prej betoni: një kërkim falje tallëse e Mbretëreshës Elizabeth II ndaj palestinezëve ku shkruan “Er...më fal”.

Deklarata e Balfourit kishte ardhur si rezultat i diskutimeve në mes të udhëheqësve sionistë britanikë që kërkonin njohje politike për qëllimet e tyre ndaj shtetësisë hebraike dhe politikanëve britanikë të përfshirë në Luftën e Parë Botërore. Deklarata, e cila premton për asistencën britanike për të krijuar një atdhe për hebrenjtë, shërbeu si bazë për Urdhrin Britanik të Palestinës, që u aprovua në vitin 1920 nga Lidhja e Kombeve pararendëse i Kombeve të Bashkuara.

Deklarata e Banksyt e lexuar në ngjarje thoshte se ajo nuk ka pasur qëllim që të festohet.

“Ky konflikt ka sjellë shumë vuajtje për njerëzit e të dyja vendeve - nuk u duk e udhës që të festojmë rolin britanik”, ka thënë ai.

“Britanikët nuk i kanë përballuar gjërat edhe aq mirë. Kur organizon dasmë, është mirë të sigurohesh se nusja nuk është tashmë e martuar”, thuhej në deklaratën e tij, duke iu referuar premtimit që i është bërë hebrenjve.

Ngjarja erdhi pasi izraelitët dhe palestinezët filluan të flasin për lëshimin e deklaratës më 2 nëntor të vitit 1917. Vizita e Netanyahut në Londër të enjten do të përcillet javën që vjen nga një sesion i veçantë i Parlamentit izraelit për të festuar dokumentin themelues diplomatik të kombësisë izraelite.

Palestinezët po e shënojnë këtë qindvjeçar me kërkesën që Britania e Madhe të kërkojë falje.

“Ne kërkuam që të bëjnë gjënë e duhur, ta bëjnë këtë shtypje historike të drejtë duke e njohur shtetin e Palestinës dhe duke u kërkuar falje popullit të Palestinës”, ka thënë ministri i Punëve të Jashtme, Riyad al-Malki.

Roderick Balfour, pasardhës i Lord Balfour, i cili shkroi dokumentin, ka thënë se mungesa e vazhdueshme e një shteti palestinez nuk do t’i kishte pëlqyer paraardhësve të tij të famshëm.

“Jam i sigurt se Arthur do të thoshte: ‘Kjo është e papranueshme’, se ka më shumë nevojë për ndihmë ndaj Palestinës”, i ka thënë ai agjencisë së lajmeve AFP. “Izraeli i ka marrë të gjithë këta njerëz që jetojnë në mes tyre – mbase është koha që ata të merren me këtë dhe të ndihmojnë”, ka thënë Balfour.

Jonathan Schneer, historiani i cili shkroi një libër mbi këtë dokument ka thënë: “Është aq përçarës edhe sot sepse sionistët mendojnë se deklarata e Balfourit ka vendosur një gurë për Izraelin modern. Kanë të drejtë të mendojnë ashtu. Njëjtë sikur edhe palestinezët që nuk janë hebrenj dhe arabët e shohin atë si gur i shpronësimit dhe mizorisë. Krejt kjo rrjedh si pasojë e Deklaratës së Balfourit”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme