Publikohen emrat e finalistëve të Çmimit Artistët e së Nesërmes 2017

Publikohen emrat e finalistëve të Çmimit Artistët e së Nesërmes 2017

01 nëntor 2017 10:31

Finalistë të Çmimit Artistët e së Nesërmes 2017 janë Meriton Maloku, Jetullah Sylejmani dhe Enesa Xheladini, ka bërë të ditur sot Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.

Çmimi Artistët e së Nesërmes është pjesë e programit që ndan çmimin për artistët e ri në fushën e arteve vizuele - YVAA (Young Visual Artists Awards) – pjesë e dhjetë çmimeve të ngjashme të organizuara në Evropën Qendrore dhe atë Lindore me qëllim të mbështetjes së shfaqjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile.

Juria e çmimit Artistët e së Nesërmes 2017, e përbërë nga Charles Esche, drejtori i Van Abbemuseum, Eindhoven, Erëmirë Krasniqi, studiuese dhe drejtoreshë e Oral History Kosovo, Natasha Petreshin-Bachelez, kritike e artit dhe kuratore e pavarur, Adrian Deva, artist dhe edukator arti, dhe Renaud Proch, drejtor ekzekutiv i Independent Curators International (ICI), New York, ka përzgjedhur finalistët bazuar në kriteret e inovacionit, praktikave të fuqishme dhe interdisiplinare, meritat e portfolios artistike, arritjet e mëparshme, ekspozitat si dhe potenciali i demonstruar deri më tani.

Finalisti i parë i Çmimit Artistët e së Nesërmes 2017 është Meriton Maloku, i cili ka befasuar jurinë me vizionin e ndërthurjes së tamatikave më aktuale të përditshmërisë.

Meriton Maloku (*1989, Kosovë) jeton dhe vepron mes Antwerpit dhe Prishtinës. Ai ka studiuar artet e bukura në Royal Academy of Fine Arts në Antwerp dhe mban gradën e masterit në grafikë.

Puna e tij hulumtuese fokusohet në politikë, filozofi dhe në historinë e vetë artit. Në punën e tij zakonisht ai përdor përsëritjen, lojën dhe kohë pas kohe edhe humorin.

Ai punon me disiplina të ndryshme, me hapësirën mes shikuesit dhe veprës që mbetet problemi i tij kryesor. Ka ekspozuar në shumë vende të botës.

Finalistja e dytë është Enesa Xheladini, që dëshmon praktikë të theksuar vizuele e shprehur në formë të skeçeve dhe shënimeve për skulptura dhe instalacione publike, e gjitha si reuzultat i praktikës së saj në fushën e arkitekturës.

Enesa Xhelaidni (*1982, Kosovë) ka përfunduar gradën për MA në fushën e Dizajnit Urban dhe Akritekturës së Pejsazhit në Universietin Polis në Tiranë. Ajo ka qenë asistente kuratore dhe koordinatore për Pavijonin e Republikës së Kosovës në Bienalen e 14-të të Venedikut, - 14th International Architecture Exhibition, Rem Koolhaas - Venice Biennale (2014). Ka qenë pjesëmarrëse në “SESAM” (Small European Students of Architecture Meeting) e mbajtur në Romë, Itali (2009); Fituese e çmimit të dytë për dizajnimin e karriges Lounge Chair me materjale të ricikluara.

Finalisti i tretë është Jetullah Sylejmani që hulumton pyetjet civilizuese mbi burimet, luftën dhe demokracinë në një mënyrë të theksuar ambicioze vizuele.

Jetullah Sylejmani (*1985, Kosovë) ka diplomuar për filozofi dhe pikturë në Universitetin e Prishtinës. Aty ka përfunduar edhe studimet Master për pikturë. Aktiviteti artistik i Sylejmanit paraqet një vështrim reflektues të vazhdueshëm si dhe përpjekje për të kundërshtuar situatën aktuale dhe problemet thelbësore të shoqërisë. Në 2017ën Jetullah Sylejmani është ftuar për rezidencë artistike në Cittadelarte / Fondacioni Pistoletto - Biella në Itali dhe Art House në Shkodër, nën udhëheqjen e Adrian Pacit.

Edhe ky ka ekspozuar krijimet e tij në shumë vende të botës.

Çmimi Artistët e së Nesërmes është çmim kyç dhe i pavarur i organizuar në bashkëpunim me Residency Unlimited në New York, mbështetur nga The Trust for Mutual Understanding në New York dhe sponsorët kryesor të Çmimit Artistët e së nesërmes në Kosovë, Raiffeisen Bank në Kosovë dhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë.

Çmimi Artistët e së Nesërmes është një projekt unik që u ofron artistëve të rinj në fushën e arteve vizuele nën moshën 35 vjeçare mundësinë e krijimit të veprave të reja artistike, të jenë pjesë e procesit të kuruar edukativ, të kenë mundësinë e takimeve dhe prezentimeve para një jurie ndërkombëtare të përbërë nga profesionistë të njohur botërisht, të kenë ekspozita të përbashkëta me finalistët, të kuruara nga ekipi kuratorial i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë si dhe të bëhen pjesë e rezidencës artistike në SHBA, që të përjetojnë dinamikën e skenës artistike të New York-ut gjatë dy muajve të rezidencës artistike në Residency Unlimited.

Fituesit e Çmimi Artistët e së Nesërmes pas kthimit të tyre nga SHBA-të kanë ekspozitën e tyre personale në Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, si pjesë e programit të ekspozitave të institutcionit dhe të programit Çmimi Artistët e së nesërmes.

Çmimi Artistët e së nesërmes është pjesë e Young Visual Artists Awards program – rrjeti i dhjetë çmimeve të ngjajshme të organizuara nëpër Evropën Qëndrore dhe atë Lindore të themeluar në vitin 1989 në Çekosllovaki nga presidenti Vaclav Havel dhe artistë disident me qëllim të mbështetjes së shfaqjes dhe zhvillimit të artit bashëkohor dhe shoqërisë civile.

Qëllimi i presidentit Havel, Wendy W. Luers, organizatorëve të SHBA-së dhe themeluesëve ishte që artistët e rinj të shpërblehen me një rezidencë në SHBA – duke i ekspozuar ata në botën e jashtme – si dhe të nënvizohet roli i kulturës në demokratizim dhe shoqërinë civile.

Në vitin 2017 Bordi i the Trust for Mutual Understanding aprovoj kërkesën e Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë qê çmimi Artistët e së nesërmes të kthehet në program qê organizohet çdo vit në Kosovë. Në vitin 2014 organizatorët e programit YVAA kishin vendosur qê çmimi Artistët e së nesërmes të organizohet çdo të dytin vit.

Fituesi i Çmimi Artistët e së Nesërmes në Kosovë do të shpallet nga juria më 4 dhjetor 2017.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme