“Oscar” special për realitetin virtual të Inarritus

“Oscar” special për realitetin virtual të Inarritus

30 tetor 2017 14:00

Një çmim special “Oscar” do t’i jepet instalacionit të realitetit virtual, të krijuar nga regjisori meksikan Alejandro Gonzalez Inarritu. “Carne y Arena” - që do të thotë mish e rërë - tregon rrëfimin e emigrantëve që shtegtojnë nëpër shkretëtirën e Sonoras për të mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përfaqësues të “Academy Awards” kanë thënë se këtë çmim e japin për të vlerësuar një “eksperiencë vizionare dhe të fuqishme në tregimin e rrëfimeve”. Ky është çmimi i parë special “Oscar” që ndahet qysh prej vitit 1996, kur ishte ndarë për “Toy Story”.

Instalacioni i Inarritus, me titull të plotë “Carne y Arena (Virtually present, Physically invisible)” është bazuar në ngjarje të vërteta që u kanë ndodhur emigrantëve, shkruan sot “Koha Ditore”, duke transmetuar BBC-në. Shikuesit e “Carne y Arena”, që ishte shfaqur këtë vit në Festivalin e Filmit në Cannes dhe aktualisht është duke u shfaqur në Los Angeles, Milano dhe Mexico City - nëpërmjet pajisjeve për VR futen në një eksperiencë që zgjat gjashtë minuta e gjysmë. Ata ecin të vetmuar dhe zbathur nëpër rërë, tek bashkohen me emigrantë virtualë me shpresën që do të arrijnë në Amerikë, derisa rojtarët e kufirit e patrullojnë gjithë zonën.

Inarritu ka thënë se ai kishte takuar dhe intervistuar refugjatë meksikanë dhe të Amerikës Qendrore, derisa ishte duke bërë hulumtime për këtë projekt.

“Rrëfimet jetësore të tyre më përhumbën”, ka thënë ai. Inarritu ka shtuar se ai ka pasur dëshirë që vizitori “të shkojë nëpër një eksperiencë direkte duke ecur në këmbët e emigrantëve, nën lëkurën dhe shpirtin e tyre”.

John Bailey, president i “Academy of Motion Picture Arts and Sciences”, ndan çmimet “Oscar”, ka thënë se Inarritu dhe kinematografi Emmanuel Lubezki “kanë hapur dyer të reja të perceptimit kinematografik”.

Bailey, po ashtu, ka shtuar se arti multimedial dhe eksperienca kinematografike e Inarritus, “Carne y Arena”, është një sipërmarrje thellësisht emocionale dhe fizike në botën e emigrantëve që kapërcejnë shkretëtirën për në jugperëndim të Amerikës, në dritën e hershme të agimit.

“Më shumë sesa një zbulim kreativ në formën aktuale të realitetit virtual, ky projekt na lidh me realitetet e nxehta politike dhe sociale në kufirin amerikano-meksikan”, ka thënë ai.

Regjisori meksikan Alejandro Gonzalez Inarritu deri më tani ka marrë “Oscar” për regjinë më të mirë, me “The Revenant” më 2016 me protagonist Leonardo DiCaprio dhe një vit më parë për “Birdman”, që po ashtu ka marrë çmimin për filmin më të mirë. Ai dhe Lubezki do ta pranojnë çmimin special në edicionin e nëntë të “Annual Governors' Awards” në Hollywood më 11 nëntor. Edhe Lubezki deri më tani ka marrë tri çmime “Oscar” për kamerën më të mirë me filmat “Gravity”, “Birdman” dhe “The Revenant” ndërmjet viteve 2014 dhe 2016 të ceremonive prestigjioze.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme