Kulturë

“G” e Shkupit merr çmimin kryesor në Festivalin e Teatrove në Ferizaj

Shfaqja “G” e Teatrit Shqiptar të Shkupit, bazuar në veprën satirike “Gomari i Babatasit” të Gjergj Fishtës me dramatizim e regji të Sulejman Rushitit, mori çmimin kryesor të Festivalit të Teatrove në Ferizaj.

Në edicionin e 47-të të festivalit që u përmbyll të shtunën mbrëma me ndarjen e çmimeve, trofeun për aktorin më të mirë në rol dytësor e mori aktori i kësaj shfaqjeje Fisnik Zeqiri. Për një jave festivali solli shtatë shfaqjet konkurruese nga Kumanova, Shkodra, Shkupi, Prizreni, Ferizaj dhe Prishtina, shkruan sot “Koha Ditore”.

Çmimin për regjinë më të mirë e mori Kushtrim Bekteshi, për realizimin e shfaqjes “Tartufi”, produksion i teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Çmimin “Ismail Rama” për aktorin më të mirë e mori Shpëtim Selmani për rolin Dr.Stockman në shfaqjen “Armiku i popullit”, nën regji të Fatos Berishës, produksion i teatrit të Prizrenit “Bekim Fehmiu”.

Çmimin “Adriana” për aktoren më të mirë e mori Rita Gjeka, për rolin e Dorinës në shfaqjen “Tartufi”, atë për aktoren më të mirë në rol dytësor e mori Donikë Ahmeti, për rolin në shfaqjen “Per Gynti nga Kosova”, me tekst të Jeton Nezirajt e regji të Agon Myftarit, produksion i qendrës “Multimedia” të Prishtinës.

Fatmir Hyseni, drejtor i Festivalit të Teatrove në Ferizaj, ka thënë se ky edicion ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm.

Juria në përbërje të aktorëve Selman Jusufi, Vjosa Abazi e Erson Zymberi për rolin më të mirë episodik e kanë vlerësuar Afrim Kasapollin të shfaqjes “Armiku i popullit”. Për skenografinë më të mirë është vlerësuar Petrit Bakalli i së njëjtës shfaqje, derisa për kostumografinë më të mirë Samka Ferri me kostumet e shfaqjes “Tartufi”. Çmimi i mediave i është ndarë Shpëtim Selmanit... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.