Kulturë

Tingujt surrealë të operës së re në “Metropolitan Opera”

Për ta transformuar në operë filmin surreal dhe satirën e errët “The Exterminating Angel” të vitit 1962, kompozitori Thomas Ades, ia ka shtuar disa instrumente të pazakonshme orkestrës tradicionale.

Disa prej tyre, thuajse asnjëherë, apo thënë më mirë rrallëherë, mund të dëgjohen në ambiente të “Metropolitan Opera”, ku edhe është prezantuar premiera amerikane e veprës së Ades javën që shkoi.

“Supozoj që nëse e mendoni orkestrën e zakonshme, le të themi, si një shtëpi, atëherë këto janë sikur elementet e përhumbura të saj”, ka thënë Ades gjatë një pauze ndërmjet provave për operën, të cilën ai gjithashtu e ka dirigjuar vetë.

“Kështu që jam duke shtuar fantazma apo çfarëdo qoftë: gjëra që dalin natën, gjëra misterioze të shtëpisë. Gjëra të mbinatyrshme” ka shtuar ai, shkruan “The New York Times”, transmeton “Koha Ditore”. Mes tyre janë violinat e vogla. Në një pikë, Ades, tetë violinistëve të orkestrës ia ka ndërruar instrumentet e tyre të zakonshme për violina miniaturë të madhësisë 1/32.

Kjo ide i kishte ardhur pasi kishte vizituar një mik që kishte një fëmijë të vogël, i cili luante një instrument të tillë: është tingulli që e bëri atë të imagjinojë muzikën që do të mundë të prodhohej nga njerëz të vegjël që jetojnë në muret e një shtëpie, të tillë që e popullarizuan “The Borrowers”, librin e dashur për fëmijë.

“E kemi lënë realitetin e zakonshëm shumë larg prapa nesh”, ka thënë ai për operën e tij. “Tani jemi duke jetuar në një botë të surrealizmit. Kështu që mendova se një mënyrë për të treguar këtë ishte që violina papritmas të tkurrej. Është një moment i shkurtër, por mendoj që i sjellë diçka atmosferës”, ka thënë ai. Interpretimi me violina kaq të vogla nuk është i lehtë. David Chan, koncertmjeshtër i “Metropolitan Opera”, ka thënë se instrumenti ishte edhe më i vogël sesa violina të cilën e kishte pasur kur ka qenë 3 vjeç. Por ai ka thënë se i ka krijuar efekt të fuqishëm.

“Nxjerr një tingull shumë të frikshëm”, ka thënë Chan. “Dhe gishtërinjtë e një të rrituri vërtet e kanë vështirë të kalojnë nëpër perdet e saj kështu që ju afroheni sa më shumë që mundeni, por mendoj që kjo është pjesë e qëllimit”. Pjesë e operës është edhe një “Ondes Martenot” e frikshme... (më gjerësisht lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.