Kulturë

Anibar synon krijimin e një gjenerate të re të animatorëve në Kosovë

Descriptive Text

Anibar, organizata e cila lindi pas formimit të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit, këto ditë po e fillon programin më të ri të organizatës - Akademinë e Animacionit Anibar.

Ky program është i pari në Kosovë që do të shërbejë për aftësim e të rinjve në fushën e filmit të animuar, dhe do të funksionojë në qytetin e Pejës, në hapësirat e Anibar në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”.

Akademia e Animacionit Anibar ka për qëllim ofrimin e një programi të edukimit për ndërtimin e gjeneratës së re të animatorëve nga Kosova, duke i ekspozuar të rinjtë ndaj filmit të animuar si një formë e artit.

"Në animacion, krijuesit kanë liri të pakufizuar në eksplorimin e kulturave të ndryshme, të shprehjes së mendimeve dhe ideve, kombinimin e anës vizuale e kreative me tregimin. Ky program do të shërbejë si program ekstra kurikular për nxënësit e shkollave të mesme në qytetin e Pejës, e veçanarisht shkollën e mesme të arteve në Pejë”, thuhet në njoftimin për media të kësaj organizte.

Image

Aty tregohet se prej muajit nëntor do të fillojë funksionalizimi i Akademisë së Animacionit Anibar. Thuhet edhe se programi është i dizajnuar për t'i dhënë nxënësve aftësi bazike mbi filmin e animuar gjatë një periudhe fillestare prej tre muajve sa do të zgjas programi për grupin e parë të nxënësve.

“Gjatë kësaj kohe nxënësit do të kenë mundësi që të marrin aftësi të avancuara në tri teknikat tradicionale të animacionit që janë Rotoscope Animation, Puppet Animation (stop motion) dhe Cutout Animation (stop motion). Si produkt i fundit pas përfundimit të programit, do të dalin filma të shkurtër të animuar. Akademia e Animacionit planifikon të vazhdojë me plan të punës përgjatë vitit me 3 programe tremujore brenda një viti. Ligjeratat do të mbahen nga tutorë vendor dhe ndërkombëtar të cilët janë profesionistë në fushën e animacionit”, thuhet në njoftim.

Image

Në procesin e krijimit të animacionit puna do të jetë grupore, duke kaluar në fazat e krijimit të një filmi të animuar si krijimi i storyboard (skenarit), dizajnimi i karaktereve, dizajnimi i skenave dhe prapavisë, animimi edhe fotografimi i karaktereve, editimi dhe produksioni i filmit.

Përveç tjerash nxënësit do të kenë mundësi për të mësuar edhe mbi historinë e animacionit për animatorë të ndryshëm, kamera digjitale, software të animacionit, software për montazh, dhe editim të zërit.

Image