Kulturë

“Aliajt e Kryeziut (Pukë), paraardhës të Shtjefën Gjeçovit”

Një libër me vlera për paraardhësit e Gjeçovit.

“Gjithë legjendat dhe ngjarjet e malësisë u treguan atë natë, rreth asaj sofre të madhe sa një lëmë”, shkruante Dritero Agolli.

Historiani Tonin Alia me botimin e librit për gjenealogjinë e familjes Gjeçi (Gjeçovi) në Kryezi të Pukës si formë e ofiq letrar të suprizon jo si trill, por si një vepër të gjithkashme, ku pa kolazh teknikash autori në paskohësi me një ndjenjë të epërme adhurimi e preformance larg togëfjalshave dhe frazalogjizmave sistemon si vlerë rrënjët e Gjeçovit me prejardhje nga një degë e fisit të Aliajve të Kryeziut në Pukë, shkruan në esejën e tij Sefer Pasha. Krejt çka në dorë lexuesi në Shqipëri e Kosovë shkoqit e zhibron në të gjitha kahet se qysh nga viti 1700 fisi i Aliajve dhe i Gjeçovit janë të një zjarri e të dal nga e njëjta vatër dhe që ka vazhduar për dy shekuj në trojet e veta. Studjuesi Tonin Alia me përgjegjshmëri e skrupulozitet para trandjeve i shtyrë nga karakteri dhe personaliteti i tij me energji shpirtërore legjendat e traditat gojore i shoshiti në kullën e mendimit në odën e të parëve të Aliajve dhe në kërkim të identitetit nxorri në dritë universalen. Historiani, petagogu, poeti, prozatori, arkeologu, entnografi, dramaturgu dhe përkthyesi At Shtjefën Gjeçovi ka si paraardhës Aliajt e Kryeziut. Studjuesi Tonin Alia ka një jetë që gërmon. Çështjes së rrënjve të Gjeçovit i është kthyer shumë herë. Qysh kur ishte fëmijë ai prej më të parëve të tij mësonte për “kopshtin e Gjeçit”. I vogël e kureshtar prekte qershitë e Gjeçit, arrat, lajthitë, lëmin, plepat, lisat, Arën e Epërme dhe kruan, që edhe sot e kësaj dite i thonë “Kroi i Gjeçit”. Por shkruesi i këtij libri mësoi në shkollë se Gjecovi kishte lindur në Janjevë të Kosovës, por që të parët e tij i kishte nga Kryeziu i Pukës. Po kush ishin të parët e Gjeçovit? Kjo pyetje kishte një jetë që e mundonte mjeshtërorin Alia. Dhe nuk ishte i qetë. Në Kryezi ka shumë fise. Po me kë afrohej fisi i Gjeçovit të madh? Pikëpyetjet nuk kishin të sosur. Siç del dhe në libër Tonin Alia dëgjoi e mbajti shënime nga baba i tij Deda. Gjithashtu bisedoi me më të moshuarit e Kryeziut, shfletoi nëpër arkiva, bëri lidhjen mes gojëdhënave me ato që i kishin rrëfyer qysh në fëmini në odën e dëgjuar të Dedë Alisë. Për shumë mote me rradhë shkoi në Janjevë ku kishte lindur Shtjefën Gjecovi dhe aty fiksoi ato që tregonin janjevasit për Gjeçovin e madh. Pikërisht në Janjevë dëgjoi shumë ndodhi, por për “kopshtin e Gjeçit” flitej vetëm në Kryezi afër shtëpive të gjyshit të vet Ndue Alia. Edhe në Zym ku u vra nga serbët universalisti Shtjefën Gjeçovi udhët për të parët e tij të shpinin në Kryezi. Aty kishte lindur katërgjyshi i Shtjefën Gjeçovit, ku mbiermi i tij ishte Gjeçi dhe per arsye te vendosjes në zonë sllave u shndërrua në Gjeçovi.

e librit “Aliajt e Kryeziut paraardhës të Gjeçovit” të Tonin Alisë me materialin lëndor që sjell vete tek e përtejmja në kohë dhe nëpërmjet kujtimeve të trishta e fakteve të pakundërshtueshme kalibron në kësi lloj zhanri se personi i shënjtë me emrin Shtjefën Gjeçovi rrjedh nga Aliajt e Kryeziut. Në fëmijëri i thërrisnin me emrin përkëdhelës Hil (Mëhill). At Shtjefën Gjeçovi ishte i biri i Anës (në pasaportë shënohet Maria) e Matë Gjeçov – Kryeziut. Në këtë rrafsh përpjestueshmërisht me të dhënat gojore e dokumentare Tonin Alia me gjethe mendimesh shpirtëzon si kronikan para lexuesit me përzotshmëri se At Shtjefën Gjeçovi është denbabaden nga lisi i madh i Aliajve të Kryeziut. Autori i këtij libri ka bërë përpjekje të mundimëshme. Qëmtoi 22 vendet ku ka shërbyer Gjeçovi në viset shqiptare gjer në Arbnesh të Zarës në Dalmaci të Kroacisë. Alia vajti dhe në kishën e Thethit ku në vitin 1917 Gjeçovi prej Kryeziu ka predikuar siç dinte ai. Në Theth u varros dhe albanologu Robert Elise. Studjuesi nuk ka lënë qoshe pa kërkuar, bile dhe në Kaninë të Vlorës për të gjetur ndonjë shënim nga dora e kryemjeshtrit të madh. Dhe kjo punë nuk ka mbaruar. E pamundur të mos ketë folur Gjeçovi shkrimtar për të parët e tij. E Tonin Alia edhe pse e ka zbuluar të vërtetën se Gjeçovi rrjedh nga oxhaku i Aliajve nuk është i “ngopur”. Ai ka porositur në arkivat e Vatikanit, të Malit të Zi e sidomos në Bosnje e Hercegovinë ku kryeziasi u shkollua për meshtar. Autori Tonin Alia shpreson për të tjera “thesare”. Në fund të fundit të gjej atë shënimin nga dora e Gjeçovit e me shkrimin e tij se të parët e familjes janë nga Kryeziu. Është e mundur të gjenden shënime, ditare, poezi, prozë, përshtypje, meditime, firma, data, porosi e mesazhe, ku frati i papërsëritshëm të ketë cekur origjinën e të parëve nga Kryeziu e rrjedhimisht dhe gjenealogjinë e trungut të Aliajve. Dhe autori me pasion po i vazhdon kërkimet paçka se është i bindur në zbulimin më të madh të jetës së tij. Por ai me instikt dhe vetëdije po e pasuron librin biografik për oxhaksinë e katërgjyshit “Aliajt e Kryeziut paraardhës të Gjeçovit”. Merakun e ka tek të panyjëtuarat me të parathëna e të pasthëna të brishta.

Biografi i familjes së Aliajve dhe tani i Shtjefën Gjeçovit Tonin Alia i rritur përballë Kunorë Dardhës në Kryezi, ku në verilindje janë dhe sot “muret e serbit”, kur ishte fare i ri në odën e Aliajve në vitin 1965 qe mysafir për tre ditë poeti Dritero Agolli. Çdo natë në konak rrotull sofrës së madhe ku pihej raki me meze mishi e këndoheshin këngë trimash djaloshi Tonin Alia do të dëgjonte ato që baba Deda i tregonte poetit nga Devolli, Dritero Agolli, për sythin e Gjeçovit të dal nga trungu i fisit të Aliajve. Dritero Agolli me laps e bllok e gotën e rakisë përpara dëgjonte ato që i thoshte Dedë Alia dhe burrat e tjerë të ftuar nga Kryeziu në sofrën sa një lëmë siç e ka përshkruar mjeshtri i poezisë Dritero Agolli. Poeti domosdo që çuditej. Ishte i gëzuar që ndodhej në vatrën ku në ato mote flitej se Shtjefën Gjeçovi e kishte “burimin” e rracës së tij në odën e Aliajve. Por në ato vite vetëm flitej. Do të rridhte shumë ujë Lumi i Kryeziut gjersa një ditë i biri i Dedë Alisë, Tonini, tani studjues do ta vinte pikën mbi “i” dhe do të shkoqiste e zhibronte në krah të mbarë se At Shtjefën Gjeçovi legjenda e rilindjes shqiptare ishte me përkatësi rracore nga zjarri i Aliajve. Autori Tonin Alia me energji të pashfrytëzuara në librin “Aliajt e Kryeziut paraardhës të Gjeçovit” me shprehje dëshirore në kuptimin e sakt të kësaj fjale me ëndje ndjenjash ngjyros vetëvëzhgimet për lidhjet me Shtjefën Gjeçovin. Burimet parësore janë rrëfimet e çmuara të babës, Dedës, e të gjyshit Ndue Dod Alia ku tregonte se e kishte takuar disa here ne Gomsiqe, dhe qe At Shtjefen Gjecovi kishte fjetur disa here te Aliajt dhe ishte percjelle per ne Gjakove po nga gjyshi Ndue ku ky i fundit ishte shume besimtare, dhe më pas kur autori i librit u shkollua në shkallën më sipërore i shtyrë nga instikti i vetëpërsosjes me mbindjeshmëri e un univesal doemos edhe me zjarr ambicjeje si kryezias ngjizi me logjikën esëll faktin origjinal dhe të vërtetë se Shtjefën Gjeçovi në vështrimin parësor e me qartësi diamanti është nga Aliajt, të cilët janë paraardhësit. Në faqet e librit jepet portreti i ngrohtë i shkencëtarit. Në pasazhet dhe fragmentet e librit jepet me këndellje, ani mirë, përpjekja e Aliajve për të hequr mjegullën e pakuptimësisë se prej kujt oxhaku rridhte Gjeçovi. Nëpër faqet e veprës nuk ka qasje romantike, as lidhshmëri emocionale dhe as interpretime të gabuara për burimin fillestar të filizave të prejardhjes së Gjeçovit. Prozatori Tonin Aliaj në librin që e ka hedhur në treg e ngre Gjeçovin në lartësit e emrit që ka në Shqipëri dhe në botë.

Një pjesë e librit “Aliajt e Kryeziut paraadhës të Gjeçovit” Tonin Alia e ka shkruar në Janjevë, por më lëndoren në Kryezi e Tiranë. Vetë fshati Kryezi i quajtur qysh moti herë Misir, Gjakovë e Paris përshkrohet nga histori baladeske. Në Kryezi kanë qëndruar Bajram Curri, Hasan Prishtina, Azem Galica, Migjeni e Avni Rustemi. Disa nga këta heronj janë bashkëkohës të Gjeçovit. Pikërisht për këtë arsye Tonin Alia vazhdon hulumtimet. A është takuar Gjeçovi me këta prijësa të mdhenj? Doemos që është takuar. Gjeçovi, miku i Fishtës s’kish sesi të mos mbante lidhje me figurat e shquara të penës dhe të pushkës, të cilët luftonin për lirinë e Kosovës dhe të Shqipërisë. Kjo e bën prozatorin Tonin Alia që nëpërmjet gjurmimeve ta pasurojë biografinë e Gjeçovit duke e ribotuar librin. Natyrisht që Gjeçovi nuk është i panjohur për veprimtarinë e tij në dobi të çështjes kombëtare. Por meraku i Alisë qëndron pikërisht tek lidhjet e Gjeçovit me Kryeziun e natyrisht me çatallin e degës së Gjeçovit në trungun e lisit të Aliajve. Promovimi yjor e i padyshimtë se Gjeçovi rrjedh nga paraardhësit e Gjeçovit është një shans i artë për Kryeziun e për të gjithë Pukën. Merr përgjigje pohore mënyra sesi Aliaj e ka shkruar librin, që nga struktura, liria e gjuhës, gjykimi historik e vlaga e fjalëve. Andejpari nëpërmjet tregimit kulmor rrëfimi i thjeshtë ngjan me një këngëz të shkruar në brigjet e Lumit të Kryeziut. Rreshtat e librit kanë pika sigurie. Kurrëkënd nuk ka asnjë grimë të magjepsjes së imagjinatës. Vepra e nisur qysh goxha më herët nga Tonin Alia me fjalë pas fjale, fjali pas fjalie e varg pas vargu si në një rrebesh biblik me çiltërsinë e fjalëve nëpërmjet rikujtimeve të kthjellta të kryeziasve për degnajën e Gjeçovit, ky libër ka të sotme dhe të nesërme. Duhma e krijuesit Alia si erudit pa trillime të faktit qe shtysa vendimtare kreative për të nxjerr një punë të përkryer. Formimi sistematik i autorit në fushën e tekikës së të rrëfyerit nuk i jep librit asnjë ngjyresë mitike. Përkundrazi ai me artin e tij vetjak nuk u bishtinoi hamendjeve se nga ç’fis mund të ishin të parët e Gjeçovit. Kërkimet e mundimshme e çuan atë në drejtimin e duhur dhe me forcën e intelegjencës e me vrull të përtërirë gjeti gërmë për gërmë bisqet e paraardhësve të Gjeçovit. Vështruar nga ky kënd Tonin Alia në fushën e fiksonit me idenë e mirë nuk po luftonte për ndonjë kala apo dinasti. librin nuk e botoi për të pasuruar biografinë e familjes së Aliajve dhe për dobi të ilustrimit as për të fituar epëri në shoqërinë tonë të trazuar. Jo. Tonini përsosmërisht e përputhshmërisht me ato që thuheshin për Gjeçovin studjoj pareshtmërisht e patregueshmërisht dhe e “fortifikoj” atë që flitej, që kur qe gjallë Ndue Dodë Alia se brenda galaksisë së Aliajve, siç supozohet me vërtetësi, se Prend Gjeçovi ishte vëlla me Demën e kështu orteku e ka vazhduar udhën gjer tek At Shtjefën Gjeçovi. Faktet nuk janë shoshur nxitimthi e as empirikisht. Përkundrazi qysh në zanafillë e në njëtrajtshmëri në mënyrë të pacakëzuar është parë nga autori Alia rrjedhshmëria e linjës së Gjeçit.

Mjeshtri Tonin Alia me botimin e librit “Aliajt e Kryeziut paraardhës të Gjeçovit” si autor për herë të parë në historinë e Kryeziut ndan legjendat rreth Gjeçovit me të vërtetën reale. Deri tani baladat, legjendat, tregimet, rrëfenjat e këngët thoshin së Gjeçovi është me origjinë nga Kryeziu, por se nga ç’fis e kush qe pika e parë e kroit nga rridhte këtë askush nuk e dinte. Dikur nëpër oda, dasma e morte flitej se Gjeçovi ishte prej rracës së tyre e se ishin nga i njëjti fshat me male, bjeshkë, pyje, lum e përrenj e se tregimet nuk kishin të sosur. Por gjithsesi mjegulla e Kunorë Dardhës, Krrabit endej mbi Kryezi. Enigma e të parëve të Gjeçovit lëvizte mëhallë më mëhallë. Rrëfenjat thoshin se kryeziasit patën shkuar në Theth tek frati Shtjefën Gjecovi kur ai në vitin 1917 hapi shkollën e parë shqipe. Vetëm këtë të dhënë prunë kryeziasit prej Thethit. Por në Kryezi nuk dinin nëse frati i pyeti të ardhurit prej Kryeziut për fisin e të parëve të tij prej të cilëve ishte dhe ai. Nuk do të vononte dhe studjuesi pasionant Tonin Alia me udhëpërshkrimin e mundimshëm shtroi me fakte e ndërtojë një rend logjik duke kapur nëpërmjet fillit të rrëfimit se Gjeçovi ishte i pemës së Aliajve. Në fushën e fiksionit vështruar nga ky kënd me grimë mirësie zhbiroi thellë në kohë dhe prerazi me duhmën e mprehtësisë së kthjellët e zbuloi dorën e parë të lidhjeve të Gjeçovit. Autori në vetën e parë edhe pse u mundua rreth këtij qerthulli pa e legjendarizuar e shpejtazi e nxori nga izolacionizmi të vërtetën për Gjeçovin. Dhe siç del në vepër këtë nuk e bëri për narcizëm, por ngaqë nuk donte që t’i kryqoste duart dhe fatin e prejardhjes së të parëve të Gjeçovit nuk donte të linte boshësi në humbëtirën e kohës të rrokaqiejve mbi Kryezi. Tonin Alia me një aftësi të mistershme duke qëmtuar faktet e me pasuri fjalori nëpërmjet fjalëve të duhura të dala nga oazi i shpirtit dëftohet intelegjent e pa u marrë me sajime zbuloi të parën e të parave me virtutshmëri për lisin e Gjeçovit. Autori grah natyrshëm e pakthyeshmërisht pemën e Aliajve e në këtë rrafsh në fletët e librit lexuesi njihet me të panjohurën e udhës se nga vinte Gjeçovi me të pathënat. Dhe përnjëmend ia arriti qëllimit. Ky është libri i parë i Tonin Alisë me ndërkallje të qarta pikë për pikë të përshkruara me fuqi parabolike e alegorike nëpëmjet mendjes së frymëzuar shënjtërisht e qartë e shkoqur. Instikti ndijmtar i Aliajt me një art të admirueshëm për qartësinë dhe erudiconin mujti pa asnjë fije dyshimi të mbrrijë tek rrënja e rrënjve të Gjeçovit e kjo në libër duket qysh në rrokjen e parë pa cak e pa rreshtje. Në këtë mënyrë u dokumentua enigma në Kryezi e Kosovë për Gjeçovin dhe u qetësua ideja ankthndjellëse për embriologjinë e këtij njeriu të papërsëritshëm. Hamendjet trillane të gjertanishme për fratin e madh këndonjës me dhunti perëndie doli në dritën e diellit.

Me botimin e këtij studimi mori fund enigma mbi Gjeçovin. Gjer tani në të gjithë fjalorët specifik e punët shkencore thuhej se At Shtjefën Gjeçovi “lindi në Janjevë, në një familje me prejardhje nga Kryeziu i Pukës”. Por tash e tutje u fshi kjo tabllo e zymtë. Do të rishkruhet në fjalorët encikolopedikë se Shtjefën Gjecovi është prurje e Aliajve të Kryeziut, ku te parin e tyre e kane me mbiemrin Gjeci. Dhe nga ky botëvështrim ky libër duhet parë dhe si provë e një zbulimi. Nuk ka pse të maten më fjalët. Tonin Alia me forcën e durimit dhe të dashurisë e mposhti misterin për lëndën dhe shpirtin se nga rridhte Gjeçovi. Ai këtë e ka bërë me harmoni universale. At Shtjefën Gjeçovi si shkencëtar rreshtohet në rreshtin e parë si kryezias me paraardhës Aliajt. Kështu kryeshkronjësi i këtij libri vuri në jetë atë që ka thënë Kafka se “në fund të fundit ajo që ka shkruar është hiri i një përvoje”. Në botvështrimin e një eseisti libri i Tonin Alisë nuk duhet lexuar thjesht si një “zbulim provincial”, se paraardhësit e Gjeçovit janë Aliajt, por dhe si pasurim i jetës së Gjeçovit. Ky libër është si të thuash një biografi e re për shkencëtarin nga Kryeziu, ku tani e tutje do të hidhen në letër enigmat dhe të panjohurat. Gjithashtu do të marrin jetë faktet nëse ka ardhur Gjeçovi në Kryezi e në Pukë. Edhe nëse shkencëtari nuk ka shkelur në Kryezi çfarë fliste meshtari kur takohej me mikun e tij Fishtën. Doemos që do ta zinte në gojë Kryeziun. Një mendje aq e ndritur që fluturonte tek yjet s’kish sesi të ishte aq i pavëmendshëm për vatrën e të parëve në Kryezi. Kërkimori Tonin Alia ka hedhur hapin e parë. Por ai i përkushtuar me laps në dorë, brazdë pas brazde, ledh pas ledhi, arë pas are, korie pas korie e pyll pas pylli, sigurisht që do të hedh dhe shumë dritë mbi kolosin e madh Shtjefën Gjeçovi. Një kapitull me vete është vrasja e Gjeçovit në Zym të Kosovës nga serbomdhenjtë. Kështu Tonin Alia me talent e vlerë, e thënur shkurt e drejt, i dhuron lexuesit një veper si petal trendafili nga të Kunorë Dardhës dhe Krrabit. Ai nga hera në herë ka bërë punë të pastra, por me botimin e këtij libri ngultazi pa e denatyruar veten përmes narratorit ka shtuar në hartën e Kryeziut me një prozë të sheshtë një tekst me metaforë të qartë për paraardhësit e Gjeçovit )marrë nga Koha Jonë).