“Shpalosje aktesh dhe sinteza siluetash” për thyerje tabush

“Shpalosje aktesh dhe sinteza siluetash” për thyerje tabush

27 tetor 2017 08:36

Prishtinë, 27 tetor - Janë dhjetë punime formatesh të mëdha që kanë mbushur muret e galerisë. Prezantimi i tyre bart një mision të veçantë. Gjysmë vizatime, gjysmë piktura, ato trajtojnë tema të ndjeshme, siç janë: vuajtjet dhe peripecitë e njeriut, por edhe dashurinë, ndjenjat dhe emocionet që rrjedhin prej temave jo fort të shprehura në këtë formë, siç është edhe akti seksual. Njëherësh ato e kanë në fokus femrën si bartëse të pëlleshmërisë dhe përgjegjësisë për krijimin e jetës në përgjithësi.

Mbi këtë koncept i ka realizuar punimet e saj Albana Ejupi, e cila sado e re në moshë ka arritur të dallohet në botën e artit. E kanë bërë të njohur veprat me të cilat e fut në lojë shikuesin, duke i lënë shpeshherë portretet e papërfunduara dhe duke i dhënë mundësi ta plotësojë zbrazëtinë me imagjinatë të vet. Në një projekt të ri artistik, me të cilin i ka finalizuar studimet pasdiplomike në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, ajo e ka shpalosur një anë tjetër të mjeshtërisë së vet.

Me dhjetë vepra të ekspozuara në galerinë e Ministrisë së Kulturës “Qafa”, Ejupi mëton të thyejë tabutë e shoqërisë me të cilët përballet në përditshmëri. E ka titulluar “Shpalosje aktesh dhe sinteza siluetash” dhe kjo është e treta ekspozitë personale e saj. Më 2015 kishte hapur ekspozitën e parë personale të titulluar “Lufta” e më 2016 “Kandidimi për çmimin ‘Nobel”.

Albana Ejupi, e lindur në Prishtinë më 1994, ka përfunduar studimet bachelor në Akademinë e Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe deri më tani ka arritur të shquhet me artin e saj, duke u prezantuar në disa ekspozita personale e kolektive në Kosovë e Shqipëri. Kritikat pozitive ishin të shumta në hapjen e ekspozitës së saj në kryeqytet (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme