Vdiq Fats Domino, ylli që i dha ritëm “rock and rollit”

Vdiq Fats Domino, ylli që i dha ritëm “rock and rollit”

26 tetor 2017 13:02

New Orleans, 26 tetor - Fats Domino, njëri nga performuesit më me ndikim të “rock and rollit” në vitet ‘50 dhe‘60, ka vdekur të mërkurën, në moshën 89-vjeçare, transmeton sot “Koha Ditore” raportimin e BBc-së. Artisti amerikan më së miri njihej për këngët e tij “Ain’t That A Shame” dhe “Blueberry Hill”.

Këngëtari nga New Orleansi shiti më shumë se 65 milionë incizime, duke tejkaluar çdo këngëtar të viteve‘50, përveç Elvis Presleyt. Singli i tij i shitur në miliona, “The Fat Man”, nga shumë njerëz konsiderohet si incizimi i parë “rock and roll”.

Një zyrtar i spitalit të zemrës në New Orleans konfirmoi vdekjen e tij, që gjatë së mërkurës ishte bërë i ditur edhe nga vajza e Dominos në një deklaratë për një televizion lokal.

Fats Domino – emri i vërtetë Antoine Domino Jr – ishte njëri nga artistët e parë RnB, që fitoi popullaritet tek të bardhët dhe që përfitoi më së shumti me këtë muzikë gjatë viteve‘50. Gjatë karrierës së tij Domino për kohë të gjatë qëndroi në pozitën e parë në top-listë dhe më shumë se 30 herë në top-40. Muzika e tij shpërbeu si frymëzim i rëndësishëm tek artistët gjatë viteve ‘60 dhe ‘70.

Elvis Presley i referohej Fats Dominos si “mbreti i vërtetë i rock n’ rollit”, derisa Paul McCartney shkroi këngën “Lady Madonna” si mirënjohje për stilin tij.

Në vitin 1986 ai ishte njëri prej artistëve të parë që hyri në “Rock and Roll Hall of Fame”, por kah fundi i jetës Domino nuk mund të largohej nga vendlindja e tij Louisiana – as edhe për të pranuar këtë çmim.

Muzikanti dhe aktori i lindur në New Orleans, Harry Connick Jr. është në mesin e yjeve që ka përkujtuar Dominon. Në një postim në Twitter, Connick ka shkruar se rockeri “i hapi rrugë pianistëve të New Orleansit”.

Antonie “Fats” Domino ka lindur në New Orleans më 26 shkurt 1928. Ishte djali i një violinisti. U mor me muzikë që prej fëmijërisë dhe piano mësoi nga vëllai i tij nga babai, jazz-performuesi, Harrison Verrett.

Nofkën “Fatt” e mori nga lideri i bendit, Bill Diamond, për të cilin ai luajti në piano si adoleshent. Teknika e Dominos ia përkujtonte atij të mëdhenjtë e pianos, Fats Waller dhe Fats Pitchon. Domino braktisi shkollën në moshën 14-vjeçare për të punuar në një fabrikë gjatë ditës, kurse natën luante nëpër kafene. Shumë shpejt shoqëroi të ndritshmit e New Orleansit, siç janë profesori Longhair dhe Amos Milburn. Në mesin e viteve ‘40, ai u bashkua me bendin e trombistit Dave Bartholomew, i cili i ndihmoi të shkruante hitin e parë “The Fat Man”. Papritur, zëri i New Orleansit u bë zë i krejt kombit.

Në një intervistë me BBC-në gjatë vitit 1973, Domino kishte folur për jetën e tij. Ai kurrë nuk kishte menduar se një ditë do të bëhej muzikant profesionist.

“Isha vetëm 17-vjeçar kur bëra incizimin e parë në vitin 1949. Kurrë s’kam menduar të jem profesionist. Punoja në një depo të lëndëve të drurit dhe aty dëgjova muzikë për herë të parë. Ishte një instrumental pianoje. Quhej ‘Swanee River Boogie’ nga Albert Ammonds”, kishte thënë ai në atë intervistë.

Edhe pse njerëzit me peshë muzikore vinin nga New Orelansi, Fats Domino ka thënë se veç dy herë në jetën e tij është takuar me Louis Armstrongun.

“Më pëlqente se si këndonte ‘Blueberry Hill’. E shihni, shumë njerëz mendojnë se unë e kam shkruar ‘Blueberry Hill’, por nuk e shkrova unë”. “Ai tekst u shkrua në vitin 1927 dhe unë e incizova këngën më 1957. Ne kishim prapavijë të ndryshme dhe unë e këndova në mënyrë që i përshtatej dhe doli e suksesshme për mua”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme