Arta Dobroshi me rrëfimin për astronautët zbërthen fuqinë e njeriut

Arta Dobroshi me rrëfimin për astronautët zbërthen fuqinë e njeriut

26 tetor 2017 11:13

Prishtinë, 26 tetor - Në një fotografi me autorësi të Bill Andersit - astronautit i cili u bë njëri nga tre personat e parë që e lanë orbitën e tokës dhe udhëtuan drejt Hënës - bota duket e vogël. Shihet në një perspektivë krejtësisht tjetër. Aktorja kosovare me nam botëror, Arta Dobroshi, thotë se e shikon shpeshherë fotografinë e shkrepur më 1968 që ia përkujton se të gjithë njerëzit janë një familje që bëjnë udhëtim të përbashkët nëpër hapësirë.

Ky imazh e ka shoqëruar në prapavijë rrëfimin që ajo e ka ndarë me audiencën e mbledhur në ambiente të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, pasditen e së mërkurës. Me organizim të Këndit Amerikan, takimi me Dobroshin është realizuar në formën e një bisede joformale, në të cilën aktorja ka kapërcyer në një dimension krejtësisht tjetër prej aktrimit. Ka folur për të qenit vetvetja. Shkas për këtë takim qe bërë një vizitë e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në të cilën Dobroshi pati një eksperiencë të veçantë meqë u takua nga me disa astronautë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet një programi të sponsorizuar nga Ambasada e ShBA-së në Kosovë.

Aktorja, e cila që nga viti 2013 bart epitetin “Shooting Star” të “European Film Awards” - pasi mori çmimin prestigjioz të ndarë në edicionin e 63-të të “Berlinales – e ka nisur takimin duke lexuar një pjesë të shkruar për këtë rast, e që e kishte titulluar “Be You” (Bëhu vetvetja). Se ndjesia e të qenit vetvetja është më e mira që mund ta përjetojë një njeri apo shtet, Dobroshi ka insistuar edhe kur i është përgjigjur pyetjeve të audiencës që përbëhej kryesisht nga të rinj. Biseda rreth të qenit vetja, është kombinuar me rrëfime e përshtypje të Dobroshit nga takimi me astronautët, të cilët sado që kanë shkelur jashtë tokës, mbeten njerëz të thjeshtë si gjithë të tjerët.

“Jeni një nga 7.6 miliardë njerëz dhe kjo është jashtëzakonisht e mrekullueshme. Ndieni këtë, ndieni sesa të veçantë, të rrallë e të bukur jeni”, ka shtuar ajo. Dobroshi ka përmendur se nganjëherë ka individë apo shtete që i shtypin të tjerët dhe i bëjnë të ndihen keq, por kjo ndjenjë duhet tejkaluar nga të gjithë (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme