Libër për një sistem kompjuterik me fjalët shqipe

Libër për një sistem kompjuterik me fjalët shqipe

26 tetor 2017 10:00

Prishtinë, 26 tetor - Për më shumë se një dekadë studiuesi Besim Kabashi i është përveshur punës për librin “Përpunimi automatik i morfologjisë së shqipes”. Është më tepër një udhëzues në detaje për programin e punuar prej tij, që përpunon apo analizon kontekstin morfologjik të fjalëve të gjuhës shqipe.

Autori ka treguar se më 1996 ka filluar punën për të krijuar një fjalor elektronik. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për një fjalor që mund të merret nëpërmjet një CD-je dhe të instalohet.

“Këtu është fjala për sistemet që i lexon makina që u shërbejnë programeve të tjera ose janë pak a shumë të palexueshme për njeriun dhe shërbejnë për shumë punë”, ka thënë ai.

Fjalorin e kishte përfunduar në vitin 2002, kur edhe kishte magjistruar. Ka thënë se më pas për tetë vjet në mënyrë sporadike kishte punuar në këtë fushë.

Ka shpjeguar se sistemi automatik, model gjithëpërfshirës, ku bëjnë pjesë të gjitha pjesët e ligjëratës, mbulon tipat e fjalëformimit dhe të zgjedhimit në aspektin sasior. “Tek fusha e fjalëformimit ka ende punë për të bërë. Saktësia mesatare nuk është 100 për qind, por nga 95 deri në 98 për qind. Edhe unë nëse flas tërë ditën gaboj dhe sigurisht kam gabuar diku. Kjo përkon edhe me saktësinë e sistemeve të gjuhëve të mëdha”, ka thënë ai për programin që përfshin rreth 85 mijë fjalë, të cilat analizohen për pesë sekonda.

“Tek korpusi kam arritur të fus diku 100 milionë fjalë teksti, nuk janë fjalë fjalori. Një fjalë mund të jetë 500 herë e një tjetër 2 herë”, ka thënë ai (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme