Kulturë

Kumbaro në Beograd: Arti, hapësira që ndërton ura bashkëpunimi

Ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Muzeut të Artit Bashkëkohor në Beograd, me ftesë të Ministrit të Kulturës dhe Informimit të Republikës së Serbisë, Vladan Vukosavljeviç.

Në takim me homologun serb Vladan Vukosavleviq dhe atë maqedonas, Robert Alogjozovski, u diskutua për një bashkëpunim intensiv me vendet e rajonit në fushën e artit dhe kulturës.

Në fjalën e tij, ministri Vukosavleviq theksoi se ”kultura po lidh dhe po lejon njerëzit të kuptohen më mirë dhe ata, artistët, përfaqësojnë “një melodi që dëgjohet mbi zhurmën e jetës së përditshme”.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro u shpreh se është veçanërisht e impresionuar me vendosjen e veprave, që reflekton idenë e bashkimit të artistëve nga vende të ndryshme të Ballkanit.

Gjithashtu, Kumbaro tha se “ne jemi vende të vogla dhe nuk kemi luksin që të mbajmë hapësira të mbyllura. Mendoj se ky është një sukses i madh për Ministrinë e Kulturës dhe për të gjithë artistët”.

“Ky vizion për të bashkuar punën e artistëve nga e gjithë ish-Jugosllavia është një ide shumë e bukur, jo vetëm për artistët, por edhe për shkak të historisë së përbashkët të rajonit tonë”, tha Mirela Kumbaro, duke theksuar rëndësinë e dialogut përmes arteve.

Duke kujtuar marrëveshjen e bashkëpunimit të nënshkruar me Serbinë në fushën e kulturës, Kumbaro deklaroi se tani është një çështje e vullnetit politik për të ndërtuar ura dhe institucionet artistike të krijojnë bashkëpunime konkrete.

Si shembull, ajo tregoi bashkëpunimin e mundshëm ndërmjet Galerisë Kombëtare në Tiranë dhe MAB të sapohapur në Beograd, si dhe bashkëpunimet mes teatrit të dramës, baletit, orkestrave, etj.

Gjatë qëndrimit në Beograd, ministrja Mirela Kumbaro Furxhi zhvilloi një vizitë në Teatrin Kombëtar të Beogradit. Në një bisedë të hapur dhe të përzemërt me drejtorin Dejan Saviq u diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit dhe programeve kulturore të shkëmbimit dhe projektet mes institucioneve kulturore kombëtare.

Gjatë vizitës, të ftuarit vizituan ndërtesën, muzeun dhe teatrin, ku u njohën me një histori shumë të pasur dhe repertorin e Teatrit Kombëtar, si dhe funksionimin e institucioneve të rëndësishme serbe kulturore, (Teatër, Opera, Balet), të cilat së shpejti do të festojnë 150-vjetorin .