Revista “Symbol” prezanton Kosovën në Konferencën Evropiane të Revistave Kulturore

Revista “Symbol” prezanton Kosovën në Konferencën Evropiane të Revistave Kulturore

22 tetor 2017 16:25

Revista kulturore “Symbol”, është prezantuar për herë të parë në konferencën e 28-të evropiane të Revistave Kulturore që po zhvillon punimet në qytetin Tartu në Estonisë nga data 20 deri më 22 tetor 2017.

Kosova prezantohet për herë të parë në një organizim të këtillë evropian, ndërsa“Symbol”, është e revista e vetme shqiptare e cila është pjesë e kësaj konference, transmeton Koha.net.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se temë e edicionit të 28-të të konferencës është “Europa midis shpëtimit digjital dhe dorëzimit para post-të-vërtetës”, ku për tri ditë me radhë do të diskutohet për revolucionin që ka sjell në kulturë, por edhe në fusha të tjera digjitalizimi i lajmeve dhe ndikimin që ka lajmi i rremë në shoqërinë evropiane.

Gjatë punimeve të konferencës në mesin e mbi 100 pjesëmarrësve nga vendet e ndryshme të botës përveç diskutimeve të ndryshme që do bëhen do të prezantohen edhe tri revista kulturore në mesin e të cilave edhe revista “Symbol”.

Gjatë prezantimit të revistës themeluesi njëherësh edhe botuesi i saj Xhemajl Avdyli ka thënë se, “revista jonë, si partnere e rrjetit Eurozine, promovon vlera dhe provokon debate, qoftë nëpërmjet intervistave të realizuara me personalitete të njohura botërore, qoftë me shkrime autoriale. Deri tani nga personalitetet e njohura botërore kemi intervistuar studiues, kritikë, romancierë, poetë dhe piktorë, si: Linda Hutcheon, Raoul Eshelman, Gottfried Helnwein, Mieke Bal, Andreas Huyssen, D. M. Thomas, Rita Dove, Jonathan Culler etj”.

Konferenca është organizuar nga rrjeti evropian i Revistave Kulturore Eurozine në bashkëpunim me revistën partnere Eurozine Vikerkaar, Institutin e Studimeve Sociale pjesë e Universitetit të Tartusë si dhe organizata kulturore estoneze SA Kultuurileht.

“Eurozine”, është rrjet i revistave kulturore, që lidh mbi 80 revista partnere dhe shumë e shumë revista dhe institucione partnere që bashkëpunojnë mes tyre pothuajse në të gjitha vendet evropiane.

“Symbol” është themeluar në vitin 2012 dhe deri më tani ka sjell për lexuesin shqiptar emrat më eminent nga fusha të ndryshme të kulturës botërore por edhe asaj shqiptare. Anëtare me të drejta të plota e “Eurozine” është që nga viti 2016. Ndërsa këto ditë ka dal në shitje numri i 11-të me radhë ku për lexuesin sjell një përmbajtje të pasur dhe mjaft interesante.

Image

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme