Nga nesër “SOT” me termin dhe format të ri

12 mars 2017 17:28

Programi i mëngjesit në Kohavision nga e hëna e kësaj jave vjen me format të ristrukturuar. Emisioni me të cilin e fillojnë ditën shikuesit e KTV-së do të sjellë shumë risi, rubrika interesante dhe përmbajtje dinamike.

“Ajo që më së pari përmendim është që emisioni fillon në orën 07:00, për dallim nga ora 07:30, që ka qenë termini i rregullt që kur ka filluar ky format në qershor të vitit 2012”, ka thënë Lekë Rezniqi, producent i programit të mëngjesit në KTV.

Sipas tij, ekipi i “SOT”-it do të vazhdojë të sjellë gjëra interesante në orët e hershme të mëngjesit në mënyrë që shikuesit e Kohavisionit ta fillojnë ditën me disponim të mirë dhe vullnet për vazhdimin e ditës. Rubrikat e shumta do të jenë edhe më tej pjesë e programit, por me dozën e freskimit, pikërisht meqë jemi në prag të stinës së pranverës. ‘SOT’ do të vazhdojë të jetë afër zhvillimeve me interes për publikun e gjerë, duke trajtuar temat kryesore për të cilat edhe qëndron vëmendja e opinionit të gjerë, duke sjellë një këndvështrim të veçantë dhe më të afërt për shikuesit”, ka shtuar Rezniqi.

Vëmendje e posaçme do t’u kushtohet pikave me interes të veçantë duke promovuar vlerat e vendit tonë, sidomos në një periudhë kur shoqëria jonë ballafaqohet me vështirësi dhe sfida të shumta në të gjitha sferat.

“Stafi i emisionit do të jetë edhe më tej pranë shikuesve, duke u mundësuar që të bëhen pjesë e drejtpërdrejtë e përmbajtjes së emisionit, me inkuadrimin në kuadër të bisedave në studio. Ndryshimet jemi të bindur se më së shumti do të pëlqehen nga shikuesit, që për ne janë më të rëndësishmit”, ka thënë Rezniqi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme