Kulturë

Shënohet 25 vjetori i rikthimit të kishës katolike në Elbasan

Descriptive Text

Tiranë, 22 tetor – Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i shoqëruar nga deputetë të PS dhe zyrtarë vendorë, ka marrë pjesë në kremtimin e 25 vjetorit të kishës katolike Shën Piu X në Elbasan.

Me moton “Politika jonë është dashuria”, përfaqësues të kësaj kishe kujtuan kohën kur besimi katolik u rikthye në Elbasan pas viteve të gjata të diktaturës.

Në një njoftim për mediat nga zyra e shtypit e PS-së, bëhet e ditur se, kryetari i grupit parlamentar të PS, Balla, në fjalën e tij tha se edhe politika jonë e përditshme duhet të reflektojë më shumë dashuri dhe respekt ndaj njerëzve të thjeshtë dhe ndaj njëri-tjetrit.

“Politika është ajo fjalë atje, që shenjti Orion thotë: “Politika jonë është dashuria”. Në fakt edhe politika që ne bëjmë ka nevojë për më shumë dashuri e ka nevojë për më shumë respekt për njerëzit e thjeshtë, sepse gjithë besimi i njerëzve ka të bëjë me nevojën që ne duhet të falim më shumë dashuri edhe me njëri-tjetrin, edhe me ata që për arsye të programit janë në krahun e kundërt tonin, për hir të Shqipërisë tonë, për hir të integrimit europian e për hir të respektit ndaj njerëzve, ne duhet të kemi më shumë dashuri me njëri-tjetrin”, eshtë shprehur Balla

Ndërsa Eprori Provincial i Etërve Orionë të Italisë dhe Europës Juglindore, Don Aurelio Fusi, vlerësoi mbi të gjitha atë për të cilën shqiptarët duhet të jenë shumë krenarë, tolerancën dhe bashkëpunimin ndërfetar.

“Besimtarë dhe përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare, të pranishëm në këtë ceremoni, nderuan figurën e Nënë Terezës dhe të Shën Orionit, misionarit të paqes dhe bamirësisë”, thuhet në njoftim.