Kulturë

Stripi është dashuria e pastër

Gani Sunduri është strip-artist. Është autori i parë në Kosovë, i cili i krijoi disa nga super-heronjtë kosovarë si: “Shqiponja e Kuqe”, “Super-fëmija“, ”Flokarti”, “Black Devil” e të tjerë. Stripin e parë e botoi në revistën “Hereja”. Për disa vite me radhë vizatoi stripa në shtojcën “Vizatori” në të përditshmen “Koha Ditore”.

Karikaturat e tij janë botuar në shumë gazeta ditore dhe revista, kombëtare e ndërkombëtare. Prej vitit 2004 e deri më sot organizoi 14 edicione të Festivalit Ndërkombëtar të Stripit dhe të Karikaturës. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita dhe festivale kombëtare dhe ndërkombëtare.

Deri më tani ka marrë 47 mirënjohje dhe 3 çmime për zhvillimin e stripit në Kosovë, dhe një çmim të artë. Më 2015 është zgjedhur Ambasador i Karikaturës për Kosovë, nga asociacioni botëror i karikaturës “Partia Dobrego Humor” i Polonisë. Ka hapur disa ekspozita personale në vend dhe jashtë. Është Kryetar i shoqatës së stripartistëve, “Xhennetcomics“.

Sunduri është personazhi i kësaj jave që flet në rubrikën e përjavshme të së dielës me “Koha Ditore”, “7 Shkronjat”.

Stripi është dashuria e pastër. Me leximin e stripeve fillon dhe dëshira për të krijuar. Për dikë me më pak, dhe për dikë me më shumë sukses. Kurse për mua është dashuri e pastër dhe më shumë sesa një hobi. Më duhej shumë kohë, punë dhe këmbëngulje për të arritur nivelin e të kuptuarit të leximit dhe nivelit të frymëzimit e të krijuarit.

Për mua stripi është i lidhur më së shumti me fëmijërinë time, atë fëmijëri që kam kaluar me një vizion të paimagjinuar, në fillim duke shfletuar faqet e stripit që më shpinin në një dimension hulumtues dhe krijues, përplot aventura dhe të mësuarin e drejtësisë së heronjve dhe të krijuarit të një personazhi në vete, duke luftuar në vete të keqen dhe duke formuar një karakter të pastër dhe të denjë. Sinqerisht, sot më mungon sa më mungon edhe rinia ime.

Sepse në atë kohë isha i ri dhe me një vizion për të ardhmen, isha një nxënës, kisha shumë kohë dhe pak para kështu që vizitoja kiosqet e atëhershme, që ishin përplot me revista dhe stripa të shumta. Sot jam i kënaqur që jam një artist i stripit dhe me një arkiv të stripit të paimagjinuar për atë kohë... (më gjerësisht lexoni sot në “E diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni