Shuhet ylli i klasikëve francezë, Danielle Darrieux

Shuhet ylli i klasikëve francezë, Danielle Darrieux

20 tetor 2017 09:42

Los Angeles, 20 tetor - Danielle Darrieux, një prej yjeve më të njohura të filmit francez, vdiq në Bois-le-Roi në Francë bën të ditur Variety, transmeton sot “Koha Ditore”. Ajo ishte 100-vjeçare. Ylli i klasikëve të viteve ’50, “La Ronde” dhe “The Earrings of Madame de...” dhe “Mayerling”, më vonë në karrierën e saj do të luante edhe në Hollywood bashkë me koleget e saja yje, siç ishte filmi “8 Fammes” i Francois Ozon.

Në mjuziklin e vitit 2002 të Ozonit, komedinë “8 Femmes”, aktorja portretizoi nënën e Chatherine Deneuve, ku luajtën edhe Isabelle Huppert, Emmanuelle Beart, Fanny Ardant, Virginie Ledoyen dhe Ludivine Sagnier. Tërë kasta morën “Ariun e argjendtë” në Festivalin e Filmit në Berlin për arritje të jashtëzakonshme artistike, si dhe çmimin e “Eurpoean Film Award” për aktoren më të mirë.

E lindur në Bordeaux, Darrieux u rrit në Paris. Në Konservatoriumin e Parisit ajo studioi për violonçel dhe piano. Si adoleshente, Darrieux mori pjesë në audicionin për rolin në mjuziklin e vitit 1931, “La Bal”. Ishte vetëm 14-vjeçare dhe përveç rolit nënshkroi kontratë pesëvjeçare me producentin.

E bukura Darrieux ishte një aktore instiktive dhe një këngëtare e valltare e talentuar, prandaj edhe më pas mori shumë oferta. U paraqit në disa komedi gjatë viteve ‘30. Roli i saj i parë kryesor erdhi në vitin 1934 në “La crise est finie”, dhe më pas dramën historike të Litcak, “Mayerling” që u bë hit ndërkombëtar e që i dha asaj epitetin e aktores serioze bashkë me rolin në filmin e Nicolas Farkas, “Port-Arthur”. Në vitin 1935 u martua me regjisorin Henri Decoin. Decoin i dha asaj role në disa filma, duke përfshirë edhe atë në “Abus de confiance” (1938).

Decoin kishte propozuar që Darrieux të provojë Hollywoodin, dhe ajo më pas nënshkroi kontratë me “Universal” për t’u paraqitur me Douglas Fairbanks Jr. në komedinë “The Rage of Paris”. Ishte sharmante me dhunti si komediane dhe më pas kishte zgjedhur të kthehej në Francë për të luajtur në “Retour a l’aube” e “Bettement de coeur” të Decoin.

Darrieux ishte kritikuar nga shumë industri franceze, pasi që ajo vazhdonte të performonte gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe okupimit të Francës nga Gjermania; vëllai i saj ishte kërcënuar me dëbim nëse ajo nuk vepronte në atë mënyrë. Pas divorcit nga Decoin dhe martesës me diplomatin e Republikës Dominikane dhe antinazistin Porfirio Rubirosa në vitin 1942, ajo bëri turne promocional në Gjermani në këmbim të lirisë së Rubirosas. Aktorja ka qenë një prej yjeve në klasikun e Ophuls në vitin 1950, “La Ronde”, në të cilën përshkruhen një seri e aferave të dashurisë.

Darrieux u paraqit në mjuziklin e Jane Powell në vitin 1951, “Rich, Young and Pretty”, të xhiruar në Paris. Portretizoi nënën e Powell. Një vit më pas u rikthye në Hollywood për të luajtur në trilerin e jashtëzakonshëm të spiunazhit “5 Fingers”, përkrahë James Mason. Në kryeveprën e Ophuls të vitit 1953, “The Earrings of Madame de…”, aktorja portretizoi gruan e një gjenerali (Charles Boyer) e cila humb vathët që i ka dhuratë nga burri i saj, dhe më pas i ruan si pasuri kur ia jep i dashuri i saj (Vittorio De Sica). Një vit më pas luajti në “The Red and the Black” me Gerard Philippe e më pas edhe “Lady Chatterley’s Lover”.

Darrieux pati perfromancën e saj të fundit në filma amerikanë në vitin 1956 në “Alexander the Great”. Ajo luajti në komedinë britanike “The Greengage Summer” në vitin 1961. Gjatë viteve ‘60, Barrieux u ngjit në skenë dhe këndoi nëpër koncerte. Në vitet ‘70 ajo pati paraqitjen e parë në Broadway, ku zëvendësoi Katherine Hepburn në mjuziklin “Coco” për “Coco Chanel”. Ajo po ashtu ishte pjesë e mjuziklit “Ambassador”, që pati paraqitje të shkurtër në vitin 1972.

Në vitet ‘70 nisi të paraqitet edhe në televizionet franceze. Pati rol shumë të rëndësishëm si nëna e Deneuve në filmin e Andre Techine në vitin 1986 në dramën familjare “Scene of the Cirme”. Në vitin 1985 aktorja mori çmimin e nderit “Honorary Cesar Award” për kontributin e saj në industrinë e filmit.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme