Instalacion me thirrje artistike për ditën e zgjedhjeve

Instalacion me thirrje artistike për ditën e zgjedhjeve

20 tetor 2017 09:31

Prishtinë, 20 tetor - Fushata parazgjedhore për kryetarë të komunave në Kosovë dhe shumë procese të tjera politike në vend janë bërë inspirim për artisten Alketa Xhafa-Mripa që të ngrejë zërin për një çështje shumë të rëndësishme.

Përmes instalacionit të saj ajo thërret që të votohet, por me një kusht: “Voto për t’i dhënë fund varfërisë”. Qysh në mëngjesin e së premtes shoqëria kosovare do të mundë të ballafaqohet me realitetin kosovar duke parë nga afër instalacionin e saj, i cili përfshin edhe fotografi të familjeve e njerëzve që jetojnë në varfëri të skajshme.

Ajo nuk ka zbuluar në detaje se si do të duket instalacioni i cili tashmë ka zënë vend në “Termokiss”, por thotë se kjo vepër artistike ka ardhur si inspirim nga zgjedhjet që do të mbahen të dielën. Instalacioni i artistes së njohur kosovare, e cila jeton në Londër, përkon me një tjetër ngjarje që do të zërë vend në “Termokiss”, ku do të ndahen çmimet e gazetarisë për varfëri nga Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) dhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

“Kam ardhur me një instalacion të ri i cili është i inspiruar enkas nga zgjedhjet”, ka thënë Xhafa-Mripa. Në një përshkrim që ia ka bërë veprës së saj ajo thotë se kjo është lufta vendimtare dhe se nuk ka të bëjë me bamirësinë, por ka të bëjë me drejtësinë (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme