Kulturë

“Shenjtorja e errësirës” synon të ndriçojë veprën e Nënë Terezës

Prishtinë, 19 tetor - Jeta dhe vepra e Shën Terezës vështirë se mund të rrëfehen për një orë, e aq më pak në një shfaqje teatri. Por një gjë të tillë ka mëtuar ta bëjë autori i dramës “Shenjtorja e errësirës”, Venko Andonovski, nën regji të Ivana Perosh.

Duke ndërthurur materiale arkivore dhe dokumentare përmes projektorit në skenë, disi kalimthi paraqiten disa prej momenteve më të rëndësishme të jetës së Gonxhe Bojaxhiut, që më vonë bota do ta njihte si Nënë Tereza. Me lojën e aktorëve shpaloset një pjesë tjetër e jetës së saj. Aktorja kroate Mia Krajçar në fillim të shfaqjes paraqitet në rolin e Gonxhe Bojaxhiut, e cila i rrëfen nënës së saj se qysh e vogël ka dëgjuar zëra në kokë dhe ajo beson se ky është zëri i Jezusit.

Prandaj edhe ajo merr vendimin që të niset në mision për të ndihmuar të varfrit, pasi që i ndihmon një lypsari (portretizuar nga Ilir Tafa), i cili del të jetë fantazmë. Kjo për të është shenjë se jetën e saj duhet ta vazhdojë si misionare. Në skenografinë e thjeshtë, me vetëm një ulëse në mes dhe pa ndonjë produksion të madh, “Shenjtorja e errësirës” sjell më pas jetën e Nënës Terezë në Kalkutë të Indisë, ku përmes videoprojektorit tregohet se si ajo është larguar nga Shkupi për në Dublin të Irlandës për t’u bërë murgeshë. Tash në rolin e Nënë Terezës në Kalkutë paraqitet aktorja Kostadinka Velkovskas.

Skena e teatrit “Faruk Begolli” të mërkurën mbrëma ka qenë e rezervuar për shfaqjen “Vdis siç vdes një vend”, produksion i Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, me tekst dhe regji të Rozi Kostanit, e cila paraqitet edhe në rolin kryesor bashkë me Alfred Trebickën (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.