“Man Booker” për rrëfimin me Lincolnin në vendin e harruar

“Man Booker” për rrëfimin me Lincolnin në vendin e harruar

19 tetor 2017 15:01

Londër, 19 tetor - Shkrimtari amerikan George Saunders i njohur për tregime të shkurtra, ka marrë çmimin “Man Booker” me romanin e tij të parë, “Lincoln in the Bardo”, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e The Guardian. Rrëfimi bazohet në ngjarje të vërtetë: në natën e vitit 1862 kur Abraham Lincoln varrosi djalin e tij 11-vjeçar Willie në varrezat e Washingtonit.

Duke imagjinuar djaloshin e ngujuar në Bardo – term budist për një vend të harruar – romani i Saundersit ndjek të vdekurin e ngujuar në varrezë, i cili nuk është i gatshëm ta pranojë vdekjen, djaloshin i cili dëshpërimisht pret babanë e tij të kthehet. I shkruar në pjesën më të madhe në dialog, romani po ashtu përfshinë fragmente të teksteve historike, biografi dhe letra, disa prej të cilave janë kontradiktore njëra me tjetrën dhe të tjera që Saunders i ka krijuar vet. Në kritikën për “The Guardian”, kolegu i tij, autori Hari Kanzru e ka vlerësuar “Lincoln in the Bardo” si “përrallë e një guximi formal”.

“Kokë e këmbë qëndron mbi fiksionin bashkëkohor, që na tregon shkrimtarin i cili po e zgjeron universin e tij dhe i cili ka shumë kënaqësi të tjera që t’i ofrojë lexuesve”, ka shkruar Kanzru.

Duke pranuar çmimin, autori 58-vjeçar i lindur në Texas bëri një mbrojtje elokuente për rëndësinë e kulturës.

“Nëse nuk e keni vërejtur ne jetojmë në kohë të çuditshme, prandaj pyetja për thelbin e kësaj çështjeje është shumë e thjeshtë”, ka thënë ai. “A i përgjigjemi frikës me përjashtim dhe projeksion negativ e dhunë? Apo e marrim atë hap të besimit antik grek dhe e bëjmë më të mirën që të përgjigjemi me dashuri? Dhe me besimin mbi idenë se çka duket tjetër në fakt nuk është aspak tjetër, por jemi thjesht ne në një ditë tjetër. Në ShBA po dëgjojmë shumë për nevojën e mbrojtjes së kulturës. Kjo sonte është kulturë, është kulturë ndërkombëtare, është kulturë e mëshirshme, është kulturë aktiviste. Është dhomë e mbushur me besimtarë të fjalës, në të bukurën dhe dykuptimësinë dhe mëtimin për të parë pikëvështrimin e tjetrit edhe kur ajo është e vështirë”, ka thënë Saunders.

Kryetarja e jurisë, Lola Young, e ka përshkruar romanin e tij si “vepër të jashtëzakonshme”. Duke pranuar se në fillim ajo u ndje e sfiduar nga faqosja, e cila i duket si skenar, më pas ajo është “mahnitur” nga romani të cilin më pas e quajti “unik”.

“Sfida në fakt është pjesë e veçantisë së tij. Është sikur të thotë: ‘të sfidoj të angazhohesh në këtë lloj rrëfimi. Është tejet i dobishëm”, ka thënë ajo. “Për ne doli në pah për shkak të stilit të tij inovativ dhe të ndryshëm, për mënyrën gati paradoksale të sjelljes në jetë të këtyre shpirtrave gati të vdekur në këtë botë. Është ky lloj ballafaqimi i tragjedisë personale të Abraham Lincolnit me vdekjen e djalit të tij në moshë shumë të re dhe jetës së tij publike, si person i cili me të vërtetë nxiti luftën civile amerikane. E ke vdekjen individuale, shumë të afërt dhe personale; ke këtë çështjen shumë më të gjerë të skenarit politik dhe vdekjes së qindra e mijëra djemve të rinj; dhe më pas ke shtetin e çuditshëm tek varrezat, me shpirtrat që nuk janë të gatshëm të vdesin tërësisht, që duket sikur po mundohen t’i rregullojnë disa gjëra që i kanë torturuar sa kanë qenë gjallë”, kanë shkruar juria.

Autori i katër përmbledhjeve me tregime të shkurtra, dy novelave dhe një serie shkrimesh si gazetar, Saunders nisi të shkruajë relativisht vonë, pasi që kishte mbajtur trajnime për t’u bërë gjeofizikant. Pasi që shkroi artikuj për teknologjinë, në fushën që u shqua për qasjen koncize, nisi të shkruajë tregime të shkurtra. Përmbledhja e parë “CivilWarLand in Bad Decline” ishte publikuar në vitin 1996. Ai ishte shpërblyer me grantin “MacArthur Genius” në vitin 2006, më pas mori çmimin “Folio” për përmbledhjen e tregimeve të shkurtra “Tenth of December” në vitin 2014.

Saunders është amerikani i dytë me radhë që merr çmimin “Booker”, pas fituesit të vitit të kaluar Paul Beatty. Fitorja e Saunders vjen katër vjet pasi u ndryshua rregulli duke futur në edhe shkrimtarë jobritanikë, por që shkruajnë në anglisht dhe publikohen në Britani të Madhe. Ndryshimi i këtyre rregullave ka ngjallur kritika të shumta.

Jurisë i janë dashur pesë orë që të vijnë tek vendimi unanim. Ajo ka mohuar shqetësimet për nacionalitetin e Saundersit.

“Ne nuk e shikojmë nacionalitetin e shkrimtarit. Sinqerisht kjo nuk është shqetësim për ne. Ne brengosemi vetëm për librin dhe atë se çfarë na tregon libri”, ka thënë Young.

Libra të tjerë që ishin në garë dhe nuk morën çmim ishin: “4321” nga Paul Auster, “Elmet” nga Fiona Mozley, “Exit West” nga Mohsin Hamid, “History of Wolves”, nga Emily Fridlund dhe “Autumn” nga Ali Smith.

Me 144 romane që ishin pjesë e listës këtë vit, romani i Saunders ishte pjesë e listës së gjatë me 13 libra të tjerë, që është e çuditshme viteve të fundit pasi që autorë debutues më shumë po marrin çmime sesa ata që tashmë kanë emër. Lista e gjatë e këtij viti përfshiu edhe Arundhati Roy, ish-fitues i “Man Booker”, po ashtu edhe autorë që kanë fituar çmime si “Pulizer”, “Costa”, “Baileys”, “Folio”, “Impac” dhe çmimin “Goldsmiths”.

Fituesi i cili merr 50 mijë funte, është shpallur në një ceremoni në “Guildhall” në Londër, dhe me këtë rast është shënuar një tjetër sukses për botuesin e pavarur. Romani i tij u botua nga “Bloomsbury”. “Lincoln in the Bardo” është libri i tretë me radhë që sjell çmim për një shtëpi botuese të pavarur.

Shitja e romanit të Saunders është shumë më mbrapa me shifra në Britani të Madhe, në krahasim me “Autumn” të Smith i cili deri më tani ka shitur 50 mijë kopje, ndërsa “Lincoln in the Bardo” është shitur në 10 mijë kopje. Saunders mund të presë rritje të shitjes. Fituesi i vitit të kaluar, “The Sellout”, deri më tani është shitur në 360 mijë kopje, me ngritje marramendëse menjëherë një javë pas marrjes së çmimit.

Përveç Young, pjesë e jurisë këtë vit kanë qenë edhe shkrimtari e kritiku Azzam Zanganeh, shkrimtarja e poetja Sarah Hall, artisti dhe autori Tom Phillips, dhe shkrimtari e romancieri Colin Thuborn. Saunders ka pranuar çmimin të martën në mbrëmje nga Dukesha e Cornwall.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme