Kulturë

Shënohet Java Botërore e Gjuhës Italiane në Prishtinë

Në kuadër të Javës Botërore të Gjuhës Italiane, e cila shënohet nga të gjitha ambasadat italiane kudo në botë, është hapur ekspozita “Udhëtim në Itali”.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Pierro Sardi tha se qëllimi i kësaj ekspozite është të shfaq përmes fotografive historinë kinematike të Italisë dhe të japë një pasqyrë mbi Italinë dhe evoluimin që ka pas ky shtet përgjatë 70 viteve të fundit. Ai shtoi se këto fotografi janë marr prej filmave më të vjetër italian, e deri tek ata të realizuar më së fundmi, transmeton kp.

Sardi: Datojnë prej mbarimit të Luftës së Parë Botërore

“Ky është një shembull i shkurtër i fotografive të nxjerra nga disa prej filmave më të famshëm italian dhe kjo ekspozitë ka për qëllim të japë një vështrim mbi historinë tonë kombëtare. Filmat më të vjetër prej të cilëve janë marrë fotografitë, datojnë prej mbarimit të Luftës së Parë Botërore dhe vazhdojnë me filmat më të fundit të bërë vitin e kaluar, pra vitin 2016. Këto fotografi fillojnë prej disa fotografive të vjetra bardh e zi aty, dhe qëllimi i tyre është të japin një pasqyrë mbi vendin tonë, mbi historinë tonë dhe se si ne keni evoluar për 70 vitet e fundit”, tha ai.

Kuratori i ekspozitës “Udhëtim në Itali”, Antonio Maraldi tha se e veçanta e kësaj ekspozite është që këto imazhe nuk janë të marra nga filmat, mirëpo janë të bëra nga fotografi i veçantë, i cili ka qenë gjatë xhirimeve. Maraldi tha se këto fotografi janë një shembull se çfarë peizazhi italian është përdorur gjatë xhirimeve të këtyre filmave.

“Ideja është që të shihet peizazhi italian se në çfarë mënyre është përdorur në kinemanë italiane, sepse prej vitit 1943 kur është krijuar neorealizmi në kinematografi, kinemaja italiane ka shëtitur gjithë gadishullin. Kjo kinema fillon prej vitit 1943 me filmin “Obsesione i Viskontit” dhe arrin deri në ditët e sotme. E veçanta e kësaj ekspozite është se fotografitë janë realizuar nga një fotograf që ka qenë gjatë xhirimeve, nuk janë imazhe të marra nga filmat, por janë pikërisht gjatë xhirimeve që ka qenë fotografi i veçantë aty”, u shpreh Maraldi.

Zëvendës ambasadorja zvicerane në Kosovë, Anita Schulter Roth tha se pasi që në ekspozitë janë shfaqur pamje vetëm nga kinemaja italiane, ambasada Italiane do të nderojë Zvicrën duke shfaqur një film më 2 nëntor, ku do të shihet influenca dhe kontributi kulturor zviceran në gjuhën dhe kulturën italiane.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për një javë në Teatrin Kombëtar të Prishtinës.