Pronësia intelektuale, Shqipëria e 118-a në botë

Pronësia intelektuale, Shqipëria e 118-a në botë

18 tetor 2017 12:59

Indeksi Ndërkombëtar për të Drejtat e Pronësisë Intelektuale, në raportin e këtij viti e rendit Shqipërinë në vendin e 118 nga 129 të ekzaminuara, për çdo vit që nga 2015 ku u përfshi për herë të parë në raport, me zbritje shkallësh sipas analizës së Alliance.

Me një rezultat prej 3.8 pikësh, Shqipëria renditet në 15 vendet e fundit në listë, e 23-a në rajonin e Europës Juglindore. E krahasuar me vendet e Ballkanit, ndodhet sërish në fund, transmeton mapo. Serbia renditet në vendin e 110, Mali i Zi në vendin e 105, ndërsa Bosnjë dhe Hercegovina e 116-a.

Ky indeks, i përpiluar nga Organizata Property Rights Alliance, bazohet në disa kategori me disa nënindikatorë: mjedisi ligjor dhe politikat, të drejtat e pronave fizike, të drejtat e pronësisë intelektuale.

Shqipëria ka marrë rezultatin më të lartë në nënkategorinë e rregullave ligjorë dhe stabilitetit politik dhe rezultatin më të ulët në piraterinë dhe pavarësinë gjyqësore.

Raporti tregon se Shqipëria ka ende mungesa në të drejtën e autorit, pasi niveli i piraterisë është i lartë. “Duhen bërë ende më tepër politika për Mbrojtjen e Patentave”, – thuhet në raport, fjali të cilën e gjen në raportet e tre viteve të fundit.

Në krye të renditjes globale për sa i përket mbrojtjes së pronësisë intelektuale, qëndron Zelanda e Re, e ndjekur nga Finlanda dhe Suedia. Ndërsa të fundit renditen Zimbabve, Jemeni dhe Venezuela.

Sa i përket Shqipërisë, qeveria hartoi një strategji në këtë fushë, “Strategjia Kombëtare e Pronësisë Intelektuale 2016-2020”, që u miratua pak kohë më parë dhe që i ka kushtuar rëndësi të veçantë nxitjes së inovacionit, ndër të tjera, nëpërmjet ngritjes së qendrave të transferimit të teknologjisë pranë universiteteve apo organizmave shkencore dhe të zhvillimit, të cilat do të shërbejnë si ura lidhëse të dobishme të kërkesës me ofertën për rastet e shpikjeve teknike, pra ndërmjet bizneseve dhe qendrave kërkimore në universitete, duke krijuar dhe tregun e shitjes dhe blerjes së patentave.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme