Kulturë

Dy të rinj nga Tirana, nderohen në Konkursin Ndërkombëtar të Pikturës në Finlandë

Këto ditë në qytetin Hyvinke (Hyvinkää), rreth 70 km në veri të kryeqytetit finlandez – Helsinkit, u hap Ekspozita e fituesve të Konkursit Ndërkombëtar të Pikturës me temë “Së bashku”, organizuar nga “Qendra e Artit për Fëmijët dhe të Rinjtë” e Hyvinkes.

Në Ceremoninë Inauguruese të Ekspozitës ishin të ftuar grupe dhe nxënës fitues, Ministri i Evropës, Kulturës dhe Sporteve të Finlandës, Sampo Terho, Kryetari i Bashkisë së Qytetit të Hyvinkes, Jyrki Mattila, përfaqësues të artit dhe mediave vendase, si dhe diplomatë të akreditar në Finlandë. Në Inaugurim mori pjesë edhe Konsullja e Përgjithshme e Nderit e Shqipërisë në Finlandë, Dr. Liliana Verdha.

Ky është Konkursi i 16-të i organizuar nga Qendra e Artit për Fëmijët dhe të Rinjtë e Hyvinkes, e cila sivjet feston 60-vjetorin e krijimit të saj. Viti 2017 shënon edhe 100-vjetorin e themelimit të vetë qytetit të Hyvinkes, që përkon me 100-vjetorin e Pavarësisë së Finlandës (6.12.).

Gjatë Fjalës Përshëndetëse në Ceremoninë Inauguruese të Ekspozitës së fituesve të Konkursit, ministri Sampo Terho vuri në dukje se, aktualisht, në të gjithë Finlandën veprojnë 27 Qendra të tilla Arti, të cilat kontribuojnë dukshëm në zhvillimin e gjithanshëm të talenteve të fëmijëve dhe të të rinjve të vendit.

Image

Në Fjalën e saj të Hapjes, Drejtoresha e kësaj Qendre Arti, Raisa Laurila-Hakulinen, vlerësoi angazhimin e grupeve të pikturës dhe shkollave pjesëmarrëse nga 66 vende të botës, që dërguan për konkurim 6.800 piktura. – “Juria e Konkursit”, – tha ajo, “u ndodh para detyrës së vështirë të përzgjedhjes së 670 punimeve fituese, prej të cilave vetëm 200 u përfshinë në këtë Ekspozitë finale”.

Ndër pikturat fituese të nderuara me DIPLOMË janë edhe ato të dy nxënësve tiranas – Adelajda Agushit (15 vjeçe) dhe Nertil Zenunit (17 vjeç). Që të dy fituesit bëjnë pjesë në Grupin amator të pikturës “Gëzimi i Syrit”, drejtuar nga piktori Bashkim Dervishi. Veç anëtarëve të këtij Grupi tiranas, konkurruan edhe punime të nxënësve të Shkollës “Hasan Riza Pasha” të Shkodrës. Në Konkursin e sivjetshëm të Hyvinkes nga Shqipëria u dërguan gjithsej 18 punime.

Sipas Jorma Lagstrëm (Lagström), specialist i Arkivës së Pikturave të kësaj Qendre Arti, deri më tani fëmijët dhe të rinjtë nga Shqipëria janë përfaqësuar ndër vite në gjashtë Ekspozita finale të Fituesve me gjithsej 214 punime pikture, duke filluar nga viti 1990 (Konkursi i 8-ë) me pjesëmarrjen e anëtarëve të Rrethit “Piktorët e Vegjël” të qytetit të Durrësit, drejtuar nga piktorja Shpresa Beqiri.

Finalet e tjera me punime të nxënësve nga Shqipëria kanë qenë në vitin 1996 (Konkursi i 10-ë), më 1999 (Konkursi i 11-ë), më 2004 (Konkursi i 12-ë), më 2014 (Konkursi i 15-ë) dhe sivjet, më 2017 (Konkursi i 16-ë).

Image