Zëri i fuqishëm nën tingujt e pianos si intro për “KamerFest”

Zëri i fuqishëm nën tingujt e pianos si intro për “KamerFest”

12 tetor 2017 10:30

Prishtinë, 12 tetor – Tetë ditë para hapjes zyrtare të festivalit të muzikës kamertale “KamerFest”, amfiteatrin e Bibliotekës Universitare e kanë ngrohur me performancën e tyre sopranoja italiane Silvia di Falco dhe pianistja Diana Noccherino. Dyshja italiane, të martën mbrëma, me sharm ka shtegtuar nëpër kryeveprat e muzikës klasike tek ka interpretuar për dhjetëra të pranishëm që u mblodhën në sallën e ftohtë në të ashtuquajturën “Pre-KamerFest”, para se të fillojë edicioni i 18-të i festivalit të parë të muzikës klasike në Kosovë.

Për një orë e gjysmë u interpretuan 13 arie të operave më të njohura botërore. E nisën me “Donde lieta” nga opera “La Boheme” e Giacome Puccinit. Sopranoja Di Falco dhe pianistja Noccherino performuan edhe arie të tjera të veprave të këtij kompozitori. “Madame Butterfly” e “Gianni Schicchi”, ishin dy prej tyre. Me krejt veprat Di Falco dëshmoi fuqinë e zërit e për ta nxjerrë në pah edhe më, i ndihmoi shoqërimi preciz në piano i Noccherino.

Salla jehoi edhe nga veprat e të famshmit Guiseppe Verdi. Italianet sollën një pjesë të operës së tij “La Traviata” dhe vepra të tjera të autorëve Claude Debussy, Vincenzo Bellinit, Franz Leharit dhe Luigi Arditit.

Di Falco dhe Noccherino lavdëruan publikun e paktë që ishte i pranishëm në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare dhe shfrytëzuan festivalin që u mbajt në Manastir para dy ditësh për të ardhur edhe në “KamerFest” (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme