46 asete të reja i shtohen Listës së Trashëgimisë për Mbrojtje të Përkohshme Foto: Koha / ilustrim

46 asete të reja i shtohen Listës së Trashëgimisë për Mbrojtje të Përkohshme

11 tetor 2017 14:04

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë vendim për aprovimin Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje te Përkohshme.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se Lista e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme për vitin 2017-2018 përfshin gjithsej 1567 asete, prej tyre 46 të reja sipas kategorive me sa vijon: 14 asete të reja në trashëgiminë arkeologjike, 23 asete në atë arkitekturore, dy asete në trashëgiminë e luajtshme dhe shtatë asete të reja në trashëgiminë shpirtërore, ndërsa për pejsazhet kulturore nuk ka pasur propozime te reja, tranmseton Koha.net.

Këtë vit, Lista është plotësuar edhe me asete te reja nga fusha e trashëgimisë shpirtërore, kategori kjo që nuk ka qene e dokumentuar, hulumtuar, studiuar dhe promovuar sa meriton.

“Në mesin e shumë propozimeve, në Listë janë përfshirë: Vallet e Karadakut, Jeta dhe Veprimtaria gojore e Xhemajl Abrisë, Kërcimet e Drenicës, Sofra Pejane, Ushqimet tradicionale dhe Lojëra tradicionale. Gjithashtu, për këtë kategori janë shqyrtuar edhe dy propozime si Veprimtaria e SH.K.A. “Agimi” në Prizren dhe Zejet artistike, e për te njëjtat Grupi punues ka kërkuar informata plotësuese para përfshirjes në Listë”, thuhet në komunikatë.

Gashi u shpreh se, “asetet e përfshira në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje te Përkohshme karakterizohen për vlerat historike, arkeologjike, arkitekturore, shpirtërore, shoqërore dhe edukative. Kjo listë e aseteve të trashëgimisë dëshmon për antikitetin tonë dhe na bën ta kuptojmë mënyrën e jetesës që nga periudhat e hershme e deri më sot në vendin tonë”.

Në kuadër të këtij procesi, të përditësimit të listës, Gashi ka themeluar një komision profesional për të vlerësuar ato asete që janë propozuar për largim nga lista.

Komisioni përkatës, pas vlerësimit të aseteve në terren, duke filluar nga sot e deri në fund të vitit do të dorëzojë raporte të detajuara për secilin aset sipas prioriteteve dhe veprimet që duhet te ndërmerren. Deri më tani, nuk është larguar asnjë aset nga lista, dhe janë përgatitur edhe 92 propozime tjera për t’u futur në listën e aseteve për mbrojtje të përhershme.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

ICOMOS KOSOVA13/10/2017 15:02

Analfabetizmi i Ministrisë të kulturës nuk ka kufi , nuk ka mbrojte ligjore ka vetëm mbrojtje juridike. Ky komisioni profesional për të vlerësuar ato asete që janë propozuar për largim nga lista cilat norma do ti aplikon e institucioneve duhet ta kenë të qarte se ekziston një Konvente mbi mbrojtjen e pronës intelektuale dhe autoriale për trashëgimi kulturore e cila e sanksionon procedurën për “ largim nga lista.” Këtë e ka sugjeruar e KE ne raportet e vete për Kosovën .Institucionet të cilat mirën me trashëgimi kulturore udhëhiqen nga jo sojlit dhe buzëqumësht e kësaj fushe ku kryefjale është diletantizëm i pa parë.....

Shto koment

Të ngjashme