Kulturë

“Gjidhënia” promovohet tashmë edhe me pullë postare

Koleksionit të pullave postare të Kosovës sot iu shtua edhe një pullë e re.

Kjo pullë e re postare është krijuar në kuadër të Javës së Gjidhënies për të promovuar ushqimin e fëmijëve me gji. Ministria e Shëndetësisë dhe Posta e Kosovës në bashkëpunim me UNICEF-in kanë bërë lansimin e pullës postare për të promovuar të ushqyerit me qumësht të gjirit me moton “Ta mbështesim gjidhënien së bashku”.

Kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, tha se nga sot kjo pullë postare do të udhëtojë edhe jashtë vendit.

Ndërsa zëvendësshefi i zyrës së UNICEF-it, James Mugaju, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që e kanë mbështetur këtë ngjarje, duke shtuar se ushqimi me qumësht të gjirit është shumë i rëndësishëm për mirëqenien e nënës dhe fëmijës.

“Ne në UNICEF besojmë që mënyra më e mirë në përkrahjen e një vendi është në fëmijët e atij vendi. Dua të përmend mrekullinë e të ushqyerit me gji. Ushqimi me gji ka përfitime afatgjata si për fëmijë ashtu edhe për nënat”, tha Mugaju.

Ideatore e pullës postare dhe autore e dizajnit të zarfit të ditës së parë është zyrtarja e Filatelisë së Postës së Kosovës, Fitesa Asllani – Ibrahimi, ndërkaq autore e dizajnit të pullës është Njomza Kadriu.