Kulturë

Kosova pret nga Austria mbështetje për promovimin e diplomacisë dhe diversitetit kulturor

Ministri Kujtim Gashi takoi sot ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, me të cilin diskutoi për raportet dhe bashkëpunimin që ka Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me Ambasadën e Austrisë.

Sipas njoftimit për media, ministri Gashi u shpreh se e vlerëson marrëdhënien e Kosovës me një shtet mik siç është Austria dhe me këtë rast e falënderoi ambasadorin për përkrahjen që shteti austriak ka dhënë për shtetësinë e Kosovës. Ai tha se është i gatshëm për thellim të bashkëpunimit me Austrinë në ato projekte të cilat Ambasada i sheh me vlerë për të dy palët. Kësisoj do të intensifikohej edhe angazhimi i përbashkët në avancimin e fushave që ka në përgjegjësi MKRS-ja, por edhe do të hapej mundësia për shkëmbim të përvojave e profesionistëve të dy vendeve.

Ndër të tjera, ministri e ka njoftuar ambasadorin edhe për planet dhe politikat që ka për synim që t’i realizojë Ministria në të ardhmen dhe në këtë drejtim u shpreh se shpreson edhe në përkrahjen e Ambasadës së Austrisë, sidomos në promovimin e diplomacisë dhe diversitetit kulturor.

Ambasadori austriak Pfendler theksoi se ambasada do ta mbështesë këtë Ministri në sferat në të cilat do të vlerësohen të interesit të përbashkët, por edhe në prezantimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare.