Fillon edicioni i shtatë i REDO konferencës së dizajnit grafik

Fillon edicioni i shtatë i REDO konferencës së dizajnit grafik

04 tetor 2017 13:20

Për edicionin e shtatë të konferencës REDO përveç maratonës së ligjëratave për dizajn grafik Prishtina do të ketë edhe shfaqje filmash, koncerte dhe udhërrëfime në qytet.

Konferenca tashmë e etabluar si ndërkombëtare edhe këtë vit ligjëratat do t’i mbajë në disa hapësira të ndryshme të qytetit. Ligjëratat do të mbahen në Shtypshkronjën Rilindja, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.

Mbi 300 studentë dhe profesionistë nga e mbarë bota pritet të vizitojnë Prishtinën për REDO. Konferenca që sivjet mbahet nga data 6 deri më 8 tetor, organizon edicionin e shtatë duke bashkuar ligjëruesit më të njohur ndërkombëtarë të fushës.

Në edicionin e sivjetmë do të ligjërojnë Coline Sunnier & Charles Mazé (FR/BE), Girls Like Us (BE), Žiga Testen (AU/SLO), Metahaven (NL), Anna Haas (CH), Zgjim Elshani (KOS), Jonas Voegeli (CH).

Përveç ligjëratave, si pjesë e konferencës do të jetë edhe shfaqja e filmave e organizuar nga Girls Like Us (BE) në bashkëpunim me galerinë LambdaLambdaLambda në Prishtinë. Filmat shfaqen çdo ditë nga data 22 shtator deri me 6 tetor në hapësirën e kësaj galerie dhe kanë për tematikë programin ‘queer’ dhe feminist.

Ndërsa kolektivi “Angry Youth”, me 5 tetor, në 19:00, organizojnë “Angry Youth Pop-up Shop”, ku do të shiten bluza te dizajnuara nga Zgjim Elshani dhe Lum Çeku, po ashtu do të ketë sticker-a të cilat do të dhurohen falas.

Në kuadër të konferencës do të mbahen edhe një seri e ndejave dhe koncerteve në mbrëmjet filluar nga data 5 tetor kur në Teatrin Oda do të performojnë The Homesick (NL) dhe Pinkmetal (KOS). Me datën 6 tetor DJ Alush do të lëshojë muzikë në Hamam Jazz Bar. Kurse me datën 7 tetor në Klubin M të Prishtinës do të performojnë Jabolex/The Breze Institute (DE).

Konferenca si gjithmonë organizohet në pika të ndryshme arkitektonike të qytetit, duke mundësuar për vizitorët e huaj përjetim të qytetit në mënyrë sa më të plotë. Sivjet për të theksuar edhe më tutje këtë komponentë të konferencës do të organizohet edhe një udhërrëfim në qytet, i cili organizohen nga Bekim Leka Ramku i KAF Kosovo Architecture Foundation. Udhërrëfimi nisë nga Hoteli Grand me datën 8 tetor në ora 14.00 deri në ora 16.00.

Më datën 7 tetor në ora 17.00 Girls Like Us e lansojnë revistën “Future issue” në hapësirën e galerisë LambdaLambdaLambda. Kurse me datën 5 tetor hapet një pop-up store në hapësirën ekspozuese Motrat nga Angry Youth (RKS).

REDO në edicionin e shtatë mbështetet nga Ambasada e Holandës në Prishtinë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ambasada e Francës në Prishtinë, Swiss Arts Council Pro Helvetia, Fondacioni “Unë e Du Kosovën”. Shtypi nga ViPrint. Mbështetës medial KOSOVO 2.0, kurse partnerë Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Rilindja, LambdaLambdaLambda. Partnerë tjerë janë poashtu Teatri Oda, Klubi M, Soma Book Station dhe Hamam Jazz Bar.

Konferenca REDO është një ngjarje treditore në lëvizje që bashkon dizajnerët nga e gjithë bota të kontribojnë në krijimin e diskursit rreth çështjeve dhe praktikave aktuale të dizajnit grafik. Përmes një serie diskutimesh, punëtorive, librarisë dhe udhërrëfimeve në qytet, REDO ofron mundësi që dizajnerët të bëhen bashkë në dhe përreth qytetit të Prishtinës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme