Kulturë

Dilema post-Dylan për Nobelin në Literaturë, Kadare me shanse të mira

Kush do ta fitojë Çmimin Nobel në Letërsi, pas Bob Dylanit që e rrëmbeu vitin e kaluar? Akademisë suedeze i pëlqen të tronditë botën me zgjedhjen e saj, por, duke qenë e kujdesshme për reputacionin e vet, këtë vit duket se do të bëjnë një zgjedhje më tradicionale.

18 anëtarët e Akademisë në Stokholm duket se do të zgjedhin personin me të cilin shumica do të pajtoheshin, shkruan transmeton Koha.net. Në mesin e shkrimtarëve që mund ta fitojnë këtë çmim është edhe Ismail Kadare.

“Akademia është një shoqëri shumë e matur dhe nuk duhet të presim këtë vit diçka sensacionale”, ka thënë për AFP, Clemens Poellinger, kritik letrar në të përditshmen suedeze Svenska Dagbladet.

Garues i fortë për këtë vit shihet kinezi, Yan Lianke, i cili më 2014 kishte fituar çmimin “Franz Kafka”.

Zgjedhja e këngëtarin dhe tekstshkruesit amerikan, Bob Dylan në vitin e kaluar, i cili nuk kishte komentuar asgjë disa javë dhe nuk ishte pjesëmarrës në ceremoninë zyrtare të dhënies së çmimit, ka krijuar një trazim të tillë sa që Akademia do të zgjedhë një laureatë më tradicional, sugjeron Bjorn Wiman, redaktor i kulturës në Dagens Nyheter.

Sipas tij shanse të mira për ta fituar këtë vit çmimin janë Ismail Kadare, si dhe portugezi Antonio Lobo Antunes.

“Ajo çfarë ndodhi në vitin e kaluar ishte vërtetë e pazakontë. Këtë vit mendoj se do të jetë një novelist apo eseist me rrënjë në Evropë. Mendoj se do të jetë e kundërta e Bob Dylanit”, thotë Wiman, i cili shton se Kadare e Antunes kanë shanse të mira. “Gjithkush do të mendojë ‘Ah, sigurisht ata e meritojnë këtë çmim’, dhe s’do të kishte kundërshtime”.