Porositë e fundit të Robert Elsies për shqiptarët!

Porositë e fundit të Robert Elsies për shqiptarët!

03 tetor 2017 11:55

Albanologu Robert Elsie (1950-2017) para pak kohësh ndau eksperiencën e tij, për herë të fundit në auditorin e Universitetit të Tiranës, për ruajtjen e historisë gojore. Porositë ishin të thjeshta, por të domosdoshme për të rrëfyer te brezat që do të vijnë historinë e vërtetë të një kombi. Këto porosi përcilleshin plot sinqeritet nga albanologu kanadez, i cili e deshi dhe i shërbeu vendit tonë gjatë gjithë jetës së tij, si albanolog, përkthyes dhe studiues i mirëfilltë i kulturës shqiptare. E megjithatë, askush nuk e kishte menduar, se Robert Elsie do të ndahej nga jeta kaq shpejt. Shkaku?! Një sëmundje e rëndë, që medoemos i ka lënë përgjysmë shumë projekte. Ndërsa për këtë në Tiranë, vetëm dje u mësua nga të afërmit, se Elsie u shua nga jeta në Berlin për shkak të një sëmundje të rëndë. “Shekulli” risjell intervistën e botuar me të para pak kohësh për rëndësinë e historisë gojore, që sipas Elsie-s, nëse nuk e dokumentojnë në kohë shqiptarët do të humbasin shumë. Elise ishte një intelektual, që mbartte mbi supe njohuri të mëdha enciklopedike, të botuara dhe jo vetëm për letërsinë, kulturën dhe historinë shqiptare.

Zoti Elsie, çfarë duhet bërë që ne të kemi një histori alternative gojore? Kush duhet që të merret me këtë?

Jeni ju vetë (gazetarët) që duhet ta bëni këtë! Nuk ka nevojë për shumë gjëra; vetëm për një kamera, mikrofon dhe kohën e transkriptimit. Kjo gjë, po bëhet në Kosovë për Luftën e Dytë Botërore, por, mbase nuk janë vetëm gazetarët ata që duhet ta ruajnë, por dhe familjarët, që jetojnë me ta brenda për brenda familjes. Për shembull, çamët kanë përjetuar histori të tmerrshme në fund të Luftës së Dytë Botërore, kur erdhën në Shqipëri. Por, ende sot jetojnë njerëz, që i kanë përjetuar ngjarjet. Fëmijët e tyre duhet t’i pyesin dhe t’i incizojnë, sepse historia e Çamërisë është shkruar nga grekët.

Ju mendoni se nuk është vonë, që historia gojore të zhvillohet në Shqipëri?

Për mua nuk është vonë, sepse historia e shkruar është e paktë në botën shqiptare. Historia e Shqipërisë është shkruar nga të huajt, jo nga shqiptarët. Shqiptarët kanë mbetur memecë, nuk ka shumë burime. Ka shumë pjesë të Shqipërisë që nuk njihen fare! Nuk janë pyetur njerëzit e thjeshtë; çfarë ka ndodhur? Ju e dini se, bota shqiptare nuk ka pasur shumë intelektualë në shkrim, njerëz që të dinin të hartonin një libër për historinë, ngjarjet etj. Prandaj dhe shtypi, intervistat nga gazetarët kanë shumë rëndësi për historinë gojore. Historia shqiptare është mrekulli, por është e rrethuar nga mjegulla. Atë që zbuloj unë, unë nuk e zbuloj, por më shumë e bëj të njohur. Është vetëm një përpjekje, por ka shumë zbulime, që nuk varen nga unë, por nga vet shqiptarët.

Keni punuar dhe për Eposin e Kreshnikëve…

Prandaj më pëlqen shumë Eposi, sepse është traditë gojore e trashëguar te brezat, sidomos në Veri. Por, po zhduket! Mendoj se pas 10-15 vjetësh nuk do të ketë më lahutarë, sikurse kanë qenë. Duhet të mbledhim historinë gojore, sepse në botën tonë ruhet ende kjo traditë.

A mundet që kjo formë të jetë një lloj dëshmie për brezat e ardhshëm, për të kuptuar qoftë se si kanë ndodhur ndryshimet në dialektet gjuhësore?

Sigurisht, sepse njerëzit e moshuar janë ata që ruajnë pasuritë dialektore. Unë kam bërë shumë intervista të traditës dialektore, nuk u interesova aq shumë për atë që thoshin njerëzit, por se si e thoshin ata. Besoj, që kjo është një pasuri, sepse dialektet po zhduken çdo ditë dhe më shumë. Njerëzit tani duan të flasin të gjithë si tiransa (qesh).

Si e keni përjetuar këtë eksperiencë?

Kam bërë shumë intervista, por në atë kohë nuk kam kuptuar asnjë fjalë, veçanërisht gegët në Veri të Shqipërisë dhe në Kosovë. Kjo varet dhe nga arsimimi i njerëzve, sepse të flasësh me fshatarët në Dibër është punë e vështirë. Tani, duke i dëgjuar shumë herë incizimet arrij që t’i kuptoj.

Po a ka një histori gojore nga periudha komuniste, që ju i riktheheni?

Asgjë të veçantë, por sigurisht që ka shumë për të mësuar. Unë kam folur me shumë njerëz, të thjeshtë dhe në pushtet asokohe, por nuk tregonin shumë. Kjo është mungesë sot, sepse ky brez njerëzish do të zhduket.

Po ata që flasin, sa duhet t’u besojmë?

Kjo është punë investiguese. Një gazetar i mirëfilltë di që të zbulojë se kur është apo jo një histori e vërtetë. Unë jam një qytetar i thjeshtë, por për këtë duhet kujdes. Profesor Alessandro Portelli thotë se: “Kur historia gojore ndryshohet, në atë moment bëhet interesante”. Pse njerëzit konceptojnë ndryshe? Pse gënjejnë? Ka njerëz që gënjejnë, kuptohet. Por, pse? Ata që kanë qenë asokohe komunistë, pas rënies së sistemit dolën si demokratë, si kundërshtarë të regjimit. Faktikisht ata kanë qenë pjesëtarë të regjimit.

Kur jeton vetëm njëra palë, mbetet të hapen dosjet, këtë disa e mbështesin, disa të tjerë jo. Ju mendoni se dosjet duhet hapur, për t’u ballafaquar me atë pjesë të errët të së kaluarës?

Nuk e di. Ky është një problem i madh që mund të shkatërrojë shoqërinë shqiptare.

Ruani historinë!

Elsie rekomandoi:1. Regjistrimin e historisë gojore të diktaturës komuniste në Shqipëri. Shumë njerëz, që janë përfshirë drejtpërdrejt janë të moshuar, prandaj ne nuk duhet të humbasim kohë!

Historia gojore e shqiptarëve të Çamërisë nga viti 1945 e tutje, dhe natyrisht, të shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-‘99, në Maqedoni etj.

Ka shumë fusha ku tradita gojore mund të ruajë atë që së shpejti do të humbasë, por unë do të largohem, duke ua lënë këtë ekspertëve që ndodhen sot (dje) këtu.

Kontributi i Elsie-s në 150 libra dhe artikuj shkencorë në albanologji

Robert Elsie, krahas kontributit të tij të çmuar si albanolog, studiues e përkthyes do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje nga publiku shqiptar edhe për vetëdijen dhe kujdesin e veçantë që tregonte për pasurimin e arkivave të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë me dhurimet e veprave e artikujve të tij të shumtë studimorë. Ato përbëjnë sot një fond të vyer në fushën e albanologjisë dhe studimeve mbi letërsinë e kulturën mbarëshqiptare. Në fondet e Bibliotekës Kombëtare ruhen mbi 150 libra dhe artikuj shkencorë, kryesisht në fushën e albanologjisë, antropologjisë, përkthimeve nga thesaret e folklorit shqiptar, por edhe përkthime të autorëve të letrave shqipe, ku spikat kontributi i rëndësishëm përmes përkthimit të veprës epike të Gjergj Fishtës “Lahuta e Malcis”.

Tashmë Biblioteka Kombëtare, në homazh të këtij personaliteti të shquar, ka çelur një ekspozitë me kontributin e tij të jashtëzakonshëm. Gjithashtu, duke përcjellë këtu të dhëna mbi kontributin e tij shkencor, po tërheqim vëmendjen me respekt mbi ato tituj që ai i ka dhuruar personalisht për BKSH-në, duke i paraqitur ato të nënvizuara: Botimet e veprës së tij studimore kushtuar Shqipërisë – dashurisë së tij të madhe – zënë fill me botimin në vitin 1986 i “Dictionary of Albanian literature”, “Albanian literature in Greek script : the eighteenth-and early nineteenth-centry orthodox tradition in Albanian ëriting” (1991); “Histori e letërsisë shqiptare” (1997); “Albanian alphabets : borroëed and invented” (2017) etj. Njohës i shkëlqyer shqipes dhe kulturës shqiptare, Robert Elsie ka përkthyer në gjuhën angleze autorë dhe poetë të rëndësishëm shqiptarë, si Gjergj Fishta, Migjeni, Ali Podrimja, Fatos Kongoli, Azem Shkreli, Flora Brovina, Eqrem Basha, Ornela Vorpsi; është autor i shumë recencioneve mbi veprat e Ismail Kadaresë, Xhevahir Spahiut, Shaip Beqirit, Kasem Trebeshinës, etj

Flutura Açka shkruan amanetin e Robert Elsie-s: Dua të prehem në Shqipëri!

Zonja Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës,

Zoti Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

Robert Elsie dëshironte të prehej në Shqipëri, bëjeni të mundur këtë! Dhe me të gjitha nderimet që meriton.

Miq! Ikja sot e albanologut, studiuesit, përkthyesit, hulumtuesit, njeriut të të gjitha përmasave të letrave, njeriut që e dashuroi Shqipërinë si asnjë i huaj tjetër, Robert Elsie, është një nga humbjet më të mëdha për kulturën shqiptare. Një akademi që ecte, një nga njerëzit që punoi i vetëm aq sa institute nuk mundën dot, e la në mes e të pakryer kështjellën letrare të tij ku strehonte kulturën shqiptare. Ai la pas një vepër të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme. Ne shqiptarët e sotëm mbase nuk do ta dimë mjaftueshëm kush është Robert Elsie, letrat shqipe sot mbase prej shkujdesjes, nuk e kanë patur vëmendjen e duhur ndaj këtij titani letrash, por brezat që do të vijnë, do ta kuptojnë që ky njeri i thjeshtë dhe jashtëzakonisht punëtor – një nga njerëzit më punëtorë të letrave që kam njohur – i ka bërë të tillë shërbim kulturës shqiptare, që ajo sot duhet të ndihet në zi. Kultura shqiptare është sot në zi. Vepra e këtij njeriu modest në natyrën e tij njerëzore, por e papërmasë si pasuri për ne, ka qenë engjëlli i vërtetë mbrojtës dhe i pazëvendësueshëm për kulturën shqiptare. Si shkrimtare shqiptare, si mike e tij, si shqiptare do të isha e lumtur që Atdheu im do të bëjë një vend për këtë njeri të pazëvendësueshëm, dhe shqiptarët të kenë mundësi ta kenë plotësisht të tyrin Robert Elsien. Pushofsh në paqe mik i vyer!

Prend Buzhala: Tri punë monumentale të Elsie-s për shqiptarët

Homazh për Rebert Elsie-n: albanolog kanadez që shkroi veprën “Historia e letërsisë shqiptare” dhe që përktheu anglisht veprën “Lahuta e Malcis”. Shkoi në amshim Robert Elsie (1950-2017), kanadez me prejardhje gjermane, por ndër ne i njohur si albanolog, studiues i letërsisë dhe përkthyes. Mik e studiues i shquar. Dëshiroj ta veçoj për tri punë monumentale: 1. Prej vitit 1990 e këndej ne nuk ishim në gjendje ta hartojmë një histori të letërsisë shqipe dhe këtë e bëri Robert Elsie me veprën “Histori e letërsisë shqiptare” 1997 (botimi II më 2001). Akademitë tona, katedrat tona albanologjike ende bëjnë gjumin dimëror “demokratik”, mbasi paguhen me paga të majme… Fillimisht, e kishte nisur me veprën studimore “Një fund dhe një fillim” 1995, me të cilën ai sintetizon për herë të parë studimet për letërsinë e çliruar nga prangat ideologjike pushtetore; në fakt, kjo vepër përfshin studime që fillimisht u shkruan për të huajt e mandej erdhën edhe në versionin shqip.

Për veprat kushtuar Kosovës. Vjen tema e madhe e Kosovës me disa vepra, si ajo me 600 faqe, “Kosovo: In the Heart of the Poëder Keg” (Kosovë: në qendrën e fuçisë së barutit), Boulder, Colorado 1997 dhe vepra me shkrime historike “Gathering Clouds: The Roots of Ethnic Cleansing in Kosovo and Macedonia, Early Tëentieth-Century Documents (Stuhi në horizont: Rrënjët e spastrimit etnik në Kosovë dhe Maqedoni, dokumente të fillimit të shekullit të njëzetë), Pejë 2002. Lexuesve pasionantë nuk u ka shpëtuar vepra “Leksiku i kulturës popullore shqiptare”, Tiranë 2005, sidomos dy leksikonë: “Fjalor historik i Kosovës” 2011 dhe “Fjalori historik i Shqipërisë” 2011.

Vjen përkthimi i tij i veprave monumentale në anglisht The Highland Lute: The Albanian National Epic (Lahuta e Malcis: eposi kombëtar shqiptar), Londër 2005) dhe i prozatorëve e poetëve të tjerë.

Të shumta janë edhe veprat e shkrimet tjera nga gjuhësia, dialektologjia, historia, nga fusha e përkthimeve dhe e botimeve, në anglisht e mandej dhe në shqip.

Arben Llalla: Vdekja e tij, humbje e madhe për shkencën shqiptare

Me Robert Elsie kemi bashkëpunuar rreth çështjeve të historisë së shqiptarëve për mëse 15 vite, në veçanti për Çështjen Çame. Në botim e fundit të librit tim Për Genocidin Grekë mbi popullsisë shqiptare në Çamëri 19944-45, u këshillova me Elsien për paqartësinë e disa fotografi të viteve 1943, të cilat grekët shkruajnë se janë çamë, por në të vërtetë bëhej fjalë për boshnjak dhe serb. Vdekja e tij e parakohshme është një humbje e madhe për shkencën shqiptare.

Mirela Kumbaro: Ç’të të them Bert! Na bëre gjëmën!

Nuk ta fal Bert! Nuk ta fal që ike kaq pabesisht! Nuk ta fal se të duam shumë!

Është e rëndë kjo që bërë Bert! Sa ç’ishte e jashtëzakonshme puna e shkencëtarit albanolog Robert Elsie akademik i lindur jo i titulluar, sa ç’ishte elegant dhe i papërsëritshëm arti i përkthimit të mjeshtrit Robert Elsie, sa ç’ishte delikat zëri i interpretit në kabinën e përkthimit, sa ç’ishte i madh ankthi i punës kur përjetonim dramat e gjyqeve të Hages, sa ç’ishte i bukur çdo çast i gjurmimit dhe hulumtimit të detajeve shqiptare prej teje që krejt bujarisht i ndaje me të gjithë ne shqiptarët e tjerë! Ne lindem shqiptarë, ty të beri pasioni të tillë! Ç’të të them Bert! Na bëre gjëmën!

Komentet

Shto koment

Të ngjashme