Ministria mohon se po kryhen ndërtime të reja në Butrint

Ministria mohon se po kryhen ndërtime të reja në Butrint

03 tetor 2017 09:03

Ministria e Kulturës sqaroi sot se “në Parkun Kombëtar të Butrintit nuk janë duke u kryer gërmime apo ndërtime të reja, por në bazë të vendimeve ligjore dhe teknike janë duke u përshtatur objektet ekzistuese me qëllim përdorimin e tyre për kryerjen e shërbimeve të standardizuara brenda Parkut Kombëtar të Butrintit”.

Pas disa raportimeve të bëra nga media ditët e sotme mbi ndërtime në Parkun Kombëtar të Butrintit, Ministria e Kulturës sqaron se “prej shumë vitesh në Parkun Kombëtar të Butrintit është konstatuar se ofroheshin shërbime tregtimi të cilat nuk respektonin legjislacionin përkatës fiskal, legjislacionin mbi sigurinë e produkteve ushqimore, legjislacionin mbi produktet kozmetike etj, në mungesë ndër të tjera edhe të kushteve higjieno-sanitare”.

“Në kuadër të rritjes së cilësisë dhe standardizimit të shërbimeve të ofruara në sitet e Trashëgimisë Kulturore prej tashmë 4 vitesh, Ministria e Kulturës ka ndërmarrë një sërë aksionesh dhe nismash në linjë edhe me nismat e tjera si: rritja e sigurisë në përshkueshmërinë e itinerareve turistike brenda parqeve kombëtarë; përmirësimi dhe funksionimi i nyjeve higjieno-sanitare, infrastruktura cilësore të aksesueshmërisë dhe pritjes së vizitorëve, etj”, thuhet në njoftim.

Në këtë kuadër, Ministria e Kulturës thekson se “për të zgjidhur problematikën, në vitin 2015 dhe 2016, ajo ka miratuar dy udhëzime specifike, të cilat janë hartuar në bazë të ligjit të Trashëgimisë Kulturore (publikuar në Fletoren Zyrtare dhe website e Ministrisë së Kulturës) me qëllim standardizimin dhe mirëadministrimin e siteve të Trashëgimisë Kulturore”. Hartimi dhe fazat e zbatimit të këtyre udhëzimeve, sipas saj, kanë kaluar përmes një sërë konsultimesh me grupet e interesit dhe komunikimeve publike.

“Në zbatim të këtyre Udhëzimeve dhe për të zgjidhur problematikat më sipër, Ministria e Kulturës dhe institucionet e saj teknike vendimarrëse kanë miratuar projektet mbi infrastrukturën e standardizuar të ofrimit të shërbimeve në dy qendra specifike të cilat ofrojnë shërbimet e tyre brenda Parkut Kombëtar të Butrintit. Qendra SAL (Souvenir-Art-Libra) dhe Qendra Multifunksionale Shërbimesh të cilat do tregtojnë vetëm produktet e miratuara dhe certifikuara paraprakisht nga Ministria e Kulturës”, vijon njoftimi.

Edhe njëherë Ministria e Kulturës sqaron opinion publik se asnjë godinë e re nuk ndërtohet në Parkun Kombëtar të Butrintit, por ëshë duke u kryer përshtatja e ambienteve ekzistuese me struktura të përkohshme dhe në përputhje me të gjithë parametrat e parashikuara nga konventat e UNESCO-s.

“Ashtu siç dhe parashikohet në Vendimin nr. 712/3 datë 25.05.2017 i Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë dhe vendimit nr. 149 datë 12.05.2017 i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve të cilët miratojnë projektin me titull “Rehabilitimi dhe ndërtimi i pikave të shërbimit në Parkun Antik të Butrintit”, projekt i miratuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Ministria e Kulturës falenderon për interesimin në vazhdim të medias mbi çështjet eTrashëgimisë Kulturore dhe siguron opinionin publik mbi profesionalizmin e lartë dhe transparencën me të cilën institucioni ynë përmbush detyrat funksionale”, përfundon njoftimi i MK-së.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme