Mozarti i panjohur në veprën e Anri Salës

Mozarti i panjohur në veprën e Anri Salës

03 tetor 2017 14:02

Koncerti për klarinetë në A-dur, të cilën Mozarti e përfundoi në muajt e fundit të jetës së tij, është një prej veprave më të dashura të muzikës klasike. Për herë të parë ishte interpretuar nga miku i Mozartit, klarinetisti virtuoz Anton Stadler në tetor të vitit 1791 dhe bashkëkohësit kishin vërejtur ngjashmërinë në interpretimin e Stadler me zërat e njerëzve.

Mund të imagjinohet humanizmi i shprehur në melodinë e lehtë të kohës së mesme adagio, ndërthurjen e klarinetës me orkestër dhe simetrinë e kënaqshme të strukturës klasike të muzikës si shenjë e Iluminizmit Evropian: rritja e valës së kërkimit intelektual në shekullin XVIII, që do të shfaroste supersticionin dhe do të prezantonte atë që Kanti e përshkroi si “guxim për të menduar për udhëzimet e dikujt tjetër”. Tani imagjinoni, ashtu siç e ka bërë këtë artisti shqiptar Anri Sala arritjen e kësaj kulture intelektuale evropiane në një vend jugor dhe të paeksploruar shumë, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e The Australian. Me një sy dhe vesh për rastësinë historike, Sala ka vërejtur se premiera e koncertit të Mozartit në Pragë në vitin 1791 përkon me vitin e parë të kolonive britanike në Australi. Ai mendon për koncertin si një artefakt prej një bote të vjetër, e cila është humbur nëpër ato brigje.

“Kam qenë i interesuar në idenë se çfarë do të ndodhte sikur kjo kryevepër të vendosej në një shishe e të hidhej në det, dhe si do të përfundonte në ujërat e trazuar, erërat e motin e lig”, ka thënë Sala.

Instilacioni i Salës për “33rd Kaldor Public Art Project” quhet “The Last Resort” dhe prezanton koncertin e Mozartit sikur të ishte humbur në Sydney. Objekti i rrumbullakët në “Observatory Hill”, pika më e lartë natyrale në Sydney, nga ku shihet limani, është pajisur me 38 bateri të përmbysura, derisa një tjetër puls ritmik do të aktivizojë shkopinjtë e daulles. Është Mozarti, por jo ashtu siç e njohim: muzika është e njohur, por e fragmentuar. Në një aranzhim të veçantë për adagio, që është incizuar për “The Last Resort”, Sala e ka zëvendësuar tempin e Mozartit me shenja të nxjerra nga ditari i një marinari, shënime të përditshme që fillojnë me përshkrimin e erës.

“Të gjitha shpresat e tyre ishin që era të frynte në drejtimin e duhur”, ka thënë Sala. “Gjuha është shumë e pasur në relacion me erërat. Na ka dhënë një gamë të gjerë të përshkrimeve, të cilat përfunduan në një gamë aq të pasur të indikacioneve të ritmit”, ka shtuar ai. Sala, i cili u lind në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, ka jetuar dhe punuar në Francë për shumë vite, më 2013 ai ishte përfaqësuesi i Francës në Bienalen e Venecias. Para pak kohësh ai është kthyer nga Meksiko – ka qenë atje kur tërmeti shkatërrues e goditi qendrën e Meksikos para dy javësh – dhe po mbikëqyr instalimin e “The Last Resort”. Bateritë po rrinë të varura të përmbysura në tavanin e objektit të rrumbullakët sikur të ishin lakuriqë nate, që Sala ishte i habitur kur kishte parë në “Royal Botanic Garden” gjatë vizitës së tij të parë në Sydney. Pamja është spektakolare dhe vepra artistike është gjithçka përveç monumentale. Kualiteti i tij esencial është afatshkurtër: muzika e fragmentuar që do të tingëllojë dhe që do të animojë bateritë. Për koincidencë, ekspozimi trejavor i “The Last Resort” vjen pas debateve të fundit për kolonizimin e të bardhëve në Australi dhe monumentet e ngritura nga kolonizuesit britanikë. Udhëtimi i James Cook në vitet 1768 deri më 1771 në Paqësor ishte motivuar nga idealet e iluminizmit të kërkimit shkencor: për të shikuar transitin e Venerës dhe për të zbuluar lokacionin e “Terra Australis Incognita”, asaj që ndryshe njihet si hipotetikisht kontinenti i parë. Sala thotë se iluminizmi, po ashtu, do të ketë pasoja për ata që janë kapur nga vrojtimi i tij i fuqishëm.

“Fatkeqësisht... ishte po ashtu një moment kur civilizimi perëndimor imponoi veten tek civilizimet e tjera duke shkaktuar humbjen e atyre civilizimeve”, ka thënë Sala. “Për mua është moment shumë i ndërlikuar dhe i kontestueshëm në historinë e njerëzimit”, ka shtuar ai. Disa njerëz i vlerësojnë statujat e Cookut dhe Arthur Phillip si simbole të zbulimeve false dhe shpronësim. Sala nuk shpalos një opinion të tijin rreth kësaj çështjeje të caktuar, por tregon interesim për këto monumente në përgjithësi dhe atë se çka përfaqësojnë. Ai thotë se ka një dallim në mes të atyre që janë thjesht dekorative apo “pjesë e një prone të një vendi” dhe ato që janë pjesë e “ndërgjegjes” së tyre.

Në Shqipëri, bashkë me mikun e tij Edi Rama, artisti i cili më pas u bë kryeministër i vendit, ka dokumentuar transformimin me ngjyra të lehta të arkitekturës së shkatërruar socialiste në Tiranë.

“Monumentet e ndërtuara gjatë kohës së regjimit socialist ishin autoritare”, ka thënë ai. “Ato nuk përfaqësojnë vullnetin e popullit, dhe ishin gjëja e parë që njerëzit sulmuan në atë kohë, rrëzuan monumentet e diktatorit, monumentin e Stalinit... Mendoj se po shkojmë drejt një shoqërie ku ideja e monumentit – ajo që simbolizon, që përfaqëson – është e gabuar në vetvete”, ka thënë Sala.

Monumentet, që deri më tani prezantojnë një ideologji apo interpretim të paracaktuar, janë joetike për pjesën më të madhe të artit bashkëkohor, përveç nëse nuk janë të mbushura me armiqësi apo me dykuptimësi. Sala është i lumtur që “The Last Resort” është përshkruar si vepër antimonumentale, sepse nuk është se ka ndonjë vlerë përveçse fton për interpretime të ndryshme. Për këtë arsye ai ngurron të caktojë një “personazh” për solo-klarinetë në “The Last Resort”, siç ishte figura e Cook apo shpirti i iluminizmit. Derisa instrumentet e tjera të orkestrës do të tingëllojnë nëpërmjet baterive të ndara, klarineta do të shëtisë nëpër ansambël.

“Nëse vjen dikush dhe e ka këtë interpretim, atëherë është tejet i mirëseardhur, por nuk jam unë ai që i cakton ato interpretime”, ka thënë Sala. “Në fund vepra duhet të funksionojë në mënyrë organike dhe muzikore si një ansambël...Nuk jam i interesuar në artikulimin e metaforave, por ideja ka qenë që të dëgjojmë këtë vepër muzikore, jo domosdo sikur të ishte menduar nga kompozitori i saj, por se si mund të tingëllojë pasi të ketë dalë në breg, duke qenë e prishur nga moti dhe forcat e natyrës”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme