Kulturë

Ekspozohen fotografitë e realizuara nga gratë në dy luftërat botërore

Vdekja e fotoreporteres gjermane Anja Niedringhaus, e cila qe vrarë nga një oficer i policisë afgane më 2014, ishte kujtuese tragjike e asaj sesi fotografitë e luftës vazhdojnë të mbesin domen i meshkujve.

Në të njëjtën kohë, raportimi i grave nga luftërat apo duke marrë pjesë në to, nuk është fenomen i ditëve të sotshme. Duke zbuluar përshtypje nga fushëbetejat dhe fronti i shtëpisë, muzeu “Das Verborgene Museum” në Berlin ka ekspozuar rreth 70 fotografi, grafika, revista dhe dokumente të grave që ishin fotoreportere gjatë dy luftërave botërore dhe Lufta Civile Spanjolle, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e DW.

Kjo ekspozitë përfshin fotografi të ushtarëve të lënduar nëpër spitale ushtarake, të luftëtarëve duke luftuar në front apo edhe momente paqeje larg aksionit, sikurse edhe imazhe të trupave të vdekur në fushëbetejë. Një tjetër vepër e përfshirë në këtë ekspozitë e pasqyron Rotterdamin, të shkatërruar nga bombardimet më 1940 nga forcat ushtarake gjermane.

Fotografitë e realizuara nga korrespondentet Natalja Bode dhe Olga Lander, të cilat ishin punësuar nga Ushtria e Kuqe për t’i shoqëruar gjatë Betejës së Stalingradit, janë duke u ekspozuar për të parën herë në një vend jashtë Bashkimit Sovjetik. Edhe veprat e Gerda Taros dallohen në këtë ekspozitë. Ajo ishte duke punuar përkrah me “International Brigades” kur qe vrarë në Luftën Civile Spanjolle më 1937, në moshën 26-vjeçare. Sot, ajo kujtohet si gruaja më e mirënjohur e Evropës që ka fotografuar gjatë luftës. A kanë gratë një pikëvështrim më të veçantë ndaj ngjarjeve të luftës? A vërehet se fotografitë janë të shkrepura nga gratë?

Elisabeth Moortgat, anëtare e bordit të muzeut që ka ekspozuar fotografitë, ka thënë se ia ka shtruar vetes këto pyetje disa herë, por nuk ka gjetur një përgjigje.

“Mendoj se pikëvështrimi i një personi formësohet individualisht nga ato që e rrethojnë – dhe në këtë kontekst, rrethanat e një gruaje natyrshëm e luajnë rolin e vetë”, ka thënë historiania e artit.

Fotografet asokohe duhej të merrnin parasysh edhe kërkesat e klientëve, të cilët shpeshherë ishin ushtritë, shërbimet e revistave apo agjencitë e shtetit. Atyre u caktohej detyra të realizonin fotografi që do t’i shpërfaqnin trupat ushtarakë të gatshëm për aksion për të rritur besimin e popullsisë në fitore. Shpeshherë, fotografitë e tyre ishin pjesë e propagandës së ndonjë shteti.

Pas Luftës së Parë Botërore, Gjermania kishte vendosur që fotografitë nuk ofronin ekspertizë të mjaftueshme, kështu që “gjatë Luftës së Dytë Botërore, fotografet fillimisht trajnoheshin në bastione të ndryshme të ushtrisë, gjë që pati efekt në fotografitë e tyre”, rrëfen Moortgat. Edhe sot, e ashtuquajtura gazetari e kurdisur kritikohet që nuk është e pavarur, por shumë e afërt me ushtrinë për raportim kritik e objektiv. Ka disa dallime në përshkrimet e forcave të ndryshme ushtarake, sipas Margot Blank të muzeut gjermano-rus në Berlin.

“Përshkrimi vizual i konceptit të armikut ishte shumë më i theksuar në propagandën e Wehrmachtit, sesa në Ushtrinë e Kuqe”, ka thënë Blank, duke shtuar se fotografitë e realizuara nga Ushtria Sovjetike Më shumë mëtonin ta dokumentonin armikun në vend se të krijonin imazhin e armikut.

Punësimi i grave si fotoreportere të luftës varionte nga shteti në shtet. Në Gjermani, gratë e kishin të ndaluar të dilnin në front: nazistët i shihnin gratë më shumë si amvise dhe nëna.

“Ky qëndrim u bë gjithnjë e më i përshtatshëm me progresivin e luftës dhe ishte e vështirë për nazistët të hiqnin dorë prej tij”, thotë Elisabeth Moortgat. Të tjera shtete po ashtu pëlqenin të ruanin imazhin e kujdesshëm ndaj grave, por Britania, Polonia dhe Bashkimi Sovjetik ua kishin lejuar atyre qasjen në front në të dyja luftërat botërore. Veprat e fotografes britanike Christina Broom dhe asaj gjermane Käthe Buchler janë të mahnitshme për shkak se tregojnë që gratë bënin atë që asokohe ishte ende punë e burrave, duke pasqyruar sesi gratë që ishin pjesë e policisë bartnin pesha të rënda. Ekspozita po ashtu i përgjigjet pyetjes nëse gratë nga natyra janë pacifiste, duke nisur më 1915, fotografja e parë e akredituar e luftës, një grua austriake e quajtur Alice Schalek, siguronte jo vetëm fotografi, por edhe raportime shumë të detajuara nga fushëbetejat. Dashuria e Schalek për aventurë është më së miri e dokumentuar nga një fotografi ku shihen pamje gjatë një kapërcimi malor të ushtarëve austro-hungarez, me armët gati. Ekspozita “Women Photojournalists in Europe 1914-1945”, do të qëndrojë e hapur në muzeun e Berlinit deri në shkurt të vitit të ardhshëm.