Kinemaja “Jusuf Gërvalla” prezanton programin për muajin tetor

Kinemaja “Jusuf Gërvalla” prezanton programin për muajin tetor

29 shtator 2017 16:25

Pas përfundimit të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit Anibar dhe aktiviteteve verore në qytetin e Pejës, Anibar paraqet programin e plotë të kinemasë Jusuf Gërvalla për sezonin e vjeshtës.

Ky sezon do të përfshijë programe tematike dhe të pavarura shumëdisiplinare që përfshijnë filmin, animacionin, muzikën, teknologjinë, me fokus të veçantë në prodhimet e sukseshme të këtij viti në kinematografinë Kosovare , që do të realizohen nga Anibar në bashkëpunim me partnerë në Kinemanë Jusuf Gërvalla.

Shfaqja e filmave të rinjë vendor si filmi T’padashtun regjisorit Edon Rizvanolli, i cili tregon historinë e një djali të vetmuar adoleshent, i cili jeton në Amsterdam me nënën e tij refugjate nga Kosova, i cili vazhdimisht hyn në telashe, ndërsa e kërkon pranimin e saj. Por traumat e shkaktuara nga lufta, të cilat nëna i’a mban të fshehura, e kthejnë botën e tij përmbys. Ky film është zyrtarisht përzgjedhja e Qendrës Kinematografike të Kosovës për çmimet Oskar, n'kategorinë e filmit më të mirë të huaj.

Filmi dokumentar Me Dasht’, me dasht’, me dasht’ nga Ilir Hasanaj i cili fitoi çmimin e publikut në DokuFest do të vijnë gjatë muajit tetor për audiencen e Pejës, ky film do të tregoj më shumë rreth tregimit të një çift të ndarë rishtas të cilët përpiqen të gjejë një mënyrë për të punuar dhe jetuar bashkë në një projekt performance arti me 30 artistë që udhëtojnë nëpër 3 shtete. Ata janë të shoqëruar nga një adoleshent i humbur, i cili është i zhgënjyer nga jeta.

Filmi Recollection është film eksperimental i prodhuar në vitin 2017 i cili vë në pah jetën e kosovarëve gjatë viteve 90-të krahas regjimit të Milosheviqit dhe superioritetit te atëhershëm të komunitetit serb në Kosovë. Autori i filmit, Art Haxhijakupi, përdorë materiale nga arkiva familjare e viteve 90-të në Pejë duke ndërtuar një tregim të ndërlikuar përmes së cilit elemente nga historia e diskursit politik, pop kultura, nacionalizmi dhe ideali kombëtar ofrojnë nje qasje të re ndaj interpretimit të së kaluarës dhe kujtesës kolektive. Temat e ndërlidhura të këtij filmi u themeluan dhe shtjelluan paraprakisht në kuadër të një projekti akademik gjatë viteve 2015-16, ndërsa në fillim të vitit 2017 u adaptuan në format filmik. Ky film është shfaqur fillimisht në festivalin e filmit Dokufest në Kosovë, kurse së fundi u prezantua në Londër në kuadër të programit për studime shqiptare “Alexander Nash” në universitetin me renome botërore University College London.

Në kuadër të programit do të ketë përzgjedhje kuratoriale të filmave më të mirë të cilët janë shfaqur gjatë DokuFest-it Festivalit Ndërkombëtar të Filmave Dokumentar dhe Anibar Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar.

Gjatë muajit Tetor në Kinema, gjithashtu do të vazhdojn të mbahen edhe prezantime, punëtori për animacion, dhe BarCamp Peja.

Qëllimi i kinemasë është që të shërbejë si hapësirë social-kulturore qytetit të Pejës, me program filmik, edukativ, artisik, dhe për teknologjinë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme