Posterë partish e reklama në “Grandin” e shpallur monument

Posterë partish e reklama në “Grandin” e shpallur monument

29 shtator 2017 10:17

Prishtinë, 29 shtator - Përderisa kandidatët për kryetar të Komunës së Prishtinës premtojnë rregull e ligjshmëri në kryeqytet, posterët e të paktën dy prej tyre janë vendosur jashtëligjshëm në pronë të trashëgimisë kulturore. Në hotelin “Grand” kanë zënë vend dy posterë: ai i kandidatit të AAK-së për kryetar të Prishtinës, Arbër Vllahiu, dhe ai i kandidatit të LDK-së, Arban Abrashi. Që të dy janë vënë pa lejen e institucioneve të trashëgimisë kulturore. Njëjtë kanë vepruar edhe disa biznese.

Një veprim i tillë i paautorizuar, është në kundërshtim me Ligjin për trashëgiminë kulturore. Partitë politike e as ndonjë kompani e kontraktuar nga ato për vënie të posterave, nuk kanë marrë leje nga Qendra e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë. Këtë e ka konfirmuar drejtoresha e QRTK-së, Edona Gashi-Dërguti.

Vënien e posterëve pa pëlqim paraprak nga autoritetet e trashëgimisë kulturore, e ka cilësuar si veprim që bie në kundërshtim me ligjin edhe ushtruesja e detyrës së drejtorit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Ardiana Qorraj.

Gazeta ka komunikuar me dy kandidatët për kryetar të Prishtinës, Arbër Vllahiun e Arban Abrashin. Vllahiu i ka rekomanduar gazetës që të komunikohet me sekretarin ekzekutiv të AAK-së, Valon Tolajn. Ai ka thënë se AAK-ja nuk bën vendosjen fizike të posterëve zgjedhorë, jo vetëm në objektin e hotelit “Grand”, por në asnjë vend apo objekt tjetër.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka kërkuar që gazeta t’i drejtohet me mesazhe elektronike. Por pasi i është treguar se për çfarë teme bëhet fjalë, ka ndërprerë komunikimin.

Hoteli “Grand”, objekti i Bankës Qendrore të Kosovës, ai i Institutit Albanologjik të Prishtinës, ai i Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, Pallati i Rinisë dhe Sporteve, objekti i Galerisë Kombëtare të Kosovës, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Rezidenca e presidentit Ibrahim Rugova janë ndër objektet që tash e një vit janë bërë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme