Zbulime arkeologjike në Maliq

Zbulime arkeologjike në Maliq

29 shtator 2017 09:19

Një vendbanim prehistorik prej 10 hektarësh është zbuluar në juglindje të Shqipërisë, bën të ditur gazeta Shqip. Zbulimi në fushën e Maliqit u bë gjatë punës kërkimore të Institutit të Arkeologjisë. Specialistët gërmuan për dy javë në anën e djathtë të lumit Devoll, për të nxjerrë në dritë elementet e para të një vendbanimi që dikur ngrihej mbi një liqen.

Arkeologu Adem Bonguri shprehet: “Kemi zbuluar një lagje periferike të vendbanimit palafitik të Maliqit. Këtë e konfirmojnë shtyllat vertikale që ngulen thellë, mbi të cilat shtrohet dyshemeja dhe kasollet. Maliqi është një vendbanim me shumë periudha, prej neolitit të vonë dhe mbaron në periudhën arkaike. Kultura e Maliqit është ndër më të zhvilluarat në rajon”.

Pjesë enësh prej balte, vegla pune dhe zbukurime do të hedhin dritë mbi jetën e banorëve të hershëm në këtë zonë.

“Studimet kanë konfirmuar se kjo fushë ka qenë e mbuluar nga uji. Ka qenë liqen palafitik”, tregon Bonguri.

Bashkia e Maliqit planifikon ngritjen e një muzeu për të ekspozuar artefaktet e zbuluara dhe dëshmi të tjera të periudhave të ndryshme historike të këtij vendbanimi.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme