Kulturë

Komuniteti artistik i Meksikës u bashkohet përpjekjeve për rindërtim

Mexico City, 28 shtator – Pjesëtarë të komunitetit artistik të Mexico Cityt e kanë pezulluar një fundjavë të planifikuar qëmoti për galeri dhe u janë bashkuar përpjekjeve për rindërtim, pas tërmetit shkatërrues që goditi Meksikën të martën e kaluar. Tërmeti ka lënë të vdekur së paku 230 njerëz, përfshirë edhe 30 nxënës, dhe i ka kthyer në gërmadha shumë ndërtesa. “Gallery Weekend Mexico City”, që ishte inauguruar më 2013-n ishte paralajmëruar të lansohej tri ditë pas tërmetit, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e artsy.net.

“Komuniteti artistik është krejtësisht i angazhuar në përpjekjet e shpëtimit dhe rindërtimit”, ka thënë Ricardo Porrero, drejtor i “Gallery Weekend Mexico City”. “Galeritë si ‘Alterna’, ‘Labor’, ‘Marso’ dhe ‘Paramo’ e ‘Fondacion Alumnos’ mes tjerësh, kanë vepruar si qendra ku mblidhen furnizimet. Stafi i galerive, sikurse edhe yni, kanë punuar vullnetarisht për t’i ndihmuar viktimat e tërmetit”, ka thënë Porrero duke shtuar se disa vepra arti kanë mundur të preken pak, por ndërtesat e galerive nuk janë dëmtuar.

Shumë galeri kanë njoftuar se programet e tyre janë pezulluar derisa të bëhej njoftimi i radhës, dhe i kanë inkurajuar njerëzit të japin ndihma.

“I kemi pezulluar të gjitha aktivitetet tona për t’u fokusuar në komunitetin tonë, për të gjetur mënyra për të ndihmuar”, ka thënë Polina Stroganova, e “Proyectos Monclova”. “Të gjithë anëtarët e galerive kanë bërë përpjekje për të siguruar ndihmë në rrugë dhe në shumicën e lokacioneve më të dëmtuara, duke siguruar furnizime, ushqim, ndihmë mjekësore dhe ilaçe për ata që kanë nevojë”.

Kerstin Erdmann, drejtoreshë e “Galería OMR”, ka thënë se galeria e saj i është bashkuar aksionit.

“Po provojmë të jemi në rrugë dhe të ndihmojmë aq sa mundemi”, ka thënë ajo. Ajo ka shtuar se stafi i galerisë ka qenë në galeri kur ka ndodhur tërmeti, në katin e parë. Sipas saj, ndërtesa ka pësuar dëmtime të vogla, përfshirë disa çarje në mure dhe dyer dhe dhjetëra vepra arti janë dëmtuar. Galeria ka lansuar një fushatë për mbledhje fondesh, ndërsa “Labor” një tjetër galeri kishte shtyrë hapjen e “An Index and Its Settings,” një ekspozitë personale e Gala Porras-Kim. “Koha jonë duhet ndarë për t’i përkrahur ata që kanë më së shumti nevojë”, shkruhej në deklaratë, duke theksuar se galeria do të jetë në dispozicion për t’u bërë qendër e grumbullimit të ndihmave në mbështetje për viktimat e tërmetit.

Panairi i New York City, “Armory Show”, ka qenë i caktuar të organizojë një darkë me CIP, për koleksionuesit dhe shitësit e artit në distriktin Condesa, për të shënuar fundjavën e galerive. Por organizatorët kanë vendosur ta anulojnë darkën dhe të dhurojnë shumën e parashikuar të grumbulluar, ka njoftuar Benjamin Genocchio, drejtor i “The Armory Show”.

“Shpresojmë që të gjithë jemi të sigurt dhe dëshirojmë rindërtim të shpejtë të një prej qyteteve më të mëdha të artit”, ka thënë ai.

Brett Schultz nga galeria “BWSMX” e kishte paralajmëruar prezantimin e veprës nga Fabiola Menchellit për të mërkurën mbrëma, por ngjarja gjithashtu është shtyrë. Ai ka thënë se kjo galeri, e cila ndodhet në një ndërtesë të vjetër që u ka mbijetuar disa tërmeteve, ka pasur vetëm dëmtime relativisht të vogla.

“Kurimanzutto”, një prej galerive kryesore në Mexico City, e ka pasur të caktuar një ekspozitë me veprën e artistit shqiptar, Anri Sala.

“Jemi duke koncentruar energjinë tonë krejtësisht për të përkrahur të dëmtuarit dhe të marrim pjesë në veprimet e solidaritetit që janë marrë nga komunitetët, civilët dhe organizatat publike”, ka njoftuar galeria nëpërmjet një deklarate, ku e ka lajmëruar shtyrjen e hapjes së ekspozitës.

Zëdhënësja e galerisë, Julia Villaseñor ka shtuar se galeria po harton një plan afatgjatë për rindërtimin e zonave të prekura dhe në veçanti tek ato që kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme.

“Në bashkëpunim me artistët e interesuar, ne tashmë kemi krijuar kontakte me organizatat që janë duke ndihmuar komunitetet në nevojë dhe do të vazhdojnë me këtë mision sa të ketë nevojë”, ka thënë ajo.

“Meksika duhet ta tejkalojë këtë dhe të rikthehet më e fortë se asnjëherë”, përfundon ajo.