Kantautori Shpat Deda i bashkohet platformës avokuese “Miqtë e Fëmijëve”

Kantautori Shpat Deda i bashkohet platformës avokuese “Miqtë e Fëmijëve”

28 shtator 2017 10:13

Kantautori i suksesshëm, njëkohësisht producent i filmit “Home” dhe fitues i çmimit BAFTA Shpat Deda, i është bashkuar platformës avokuese të KOMF “Miqtë e Fëmijëve”. Në lidhje me vendimin e tij për të qenë në ndihmë dhe mbështetje të fëmijëve si dhe për t’u angazhuar në çështje që prekin apo cenojnë mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve, Shpat Deda është shprehur:

“Fëmijët janë potenciali në lulëzim e sipër i shoqërisë, dhe si të tillë ata janë tejet të brishtë dhe kanë nevojë për hapësirë të mjaftueshme zhvillimi ku ndjehen të sigurt, ku të drejtat e tyre nuk shkelen dhe ku talenti i tyre mbështetet dhe ushqehet nga shoqëria. Unë jam i nderuar që jam bërë pjesë e platformës avokuese “Miqtë e Fëmijëve” themeluar nga Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, zotohem se do t’i përkrah aktivitetet e kësaj platforme me qëllim të mbështetjes së fëmijëve në Kosovë.”

Në 26 shtator 2017, kantautori Shpat Deda ka nënshkruar “Deklaratën e Zotimit” e cila është një përmbledhje e zotimeve të Miqve të Fëmijëve për tu angazhuar në çështjet që prekin apo cenojnë mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve.

“Miqtë e Fëmijëve” është platformë avokuese e përbërë nga personalitete me karrierë të suksesshme nga fusha e diplomacisë, artit, kulturës, sportit etj, e cila ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e mbrojtjes së fëmijëve në të gjithë Kosovën, duke synuar vetëdijesimin e institucioneve dhe komunitetit, mbi rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve dhe investimin afatgjatë në fëmijë. Kjo platformë dhe angazhimi i Miqve të Fëmijëve në fushata të ndryshme do të ndihmojë në rritjen e impaktit për çështjet e ndërlidhura me mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve.

Kjo platformë është inicuar nga Koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve – KOMF, themeluar në vitin 2011, është koalicion i përbërë nga 22 organizata jo qeveritare vendore dhe ndërkombëtare të cilat punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, me mision të përbashkët avokimin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë”.

Bashkangjitur gjeni komunikatën e plotë dhe një fotografi të këngëtarit,

Komentet

Shto koment

Të ngjashme