“Tu pi kafe” Artan Balaj shpalosi një frymë të re në art

“Tu pi kafe” Artan Balaj shpalosi një frymë të re në art

28 shtator 2017 10:01

“Tu pi kafe” edhe duke parë piktura të mrekullueshme, të pranishmit në mbrëmjen e sotme në “Traffic gallery”, po prisnin hapjen e ekspozitës së dhjetë personale të artistit Artan Balaj.

Muret e kësaj galerie ishin mbushur plot me ngjyra, falë punës së Artanit, e të pranishmit me nga një pije në dorë po shëtisnin rreth e rrotull për t’i shijuar këto piktura të veçanta e që sillnin një frymë të re për publikun.

Balaj, për adhuruesit e artit sonte shpalosi një frymë tjetër të punimeve. Një stil i ri i punës dhe qasjes në art, por kjo ekspozitë lirisht mund të themi që solli një stil miks.

Momente nga jeta e artistit, ndjenja apo mendime, ishin shkrirë në letër nga dora e artistit për të mbetur përgjithmonë si dëshmi e një kohe të caktuar nga jeta e tij, por të shprehura në formë të eksperimenteve.

Hapja e ekspozitës u bë nga vetë artisti, i cili me pak fjalë tregoi se kjo ekspozitë vjen ndryshe.

“Mos më pyetni shumë për koncept, sepse këto piktura i kam realizuar duke pirë kafe, janë eksperimente”, tha artisti për ta shpallur të hapur ekspozitën.

Por tutje Balaj foli për KultPlus ku tregoi më shumë rreth punës dhe konceptit të kësaj ekspozite.

“Këto punime i kam realizuar për rreth dy muaj e gjysmë, janë punime të reja që i kam realizuar duke pirë kafe, andaj edhe kam vendosur që ekspozitën ta titulloj “Tu pi kafe”. Punime janë eksperimente me ngjyra, me vija me forma dhe me teknika të ndryshme. Unë kam dëshirë të eksperimentoj dhe të sjellë gjëra të reja në art sepse arti e ka atë që duhet të evoluojë, të eksperimentojë dhe gjithmonë të sjellë risi. Ky ka qenë edhe qëllimi ime, që të eksperimentojë sa më shumë kësaj radhe, si me ngjyra, me forma dhe me gjithçka tjetër”, u shpreh artisti.

Në këtë ekspozitë u prezantuan 14 punime, teknika të kombinuara.

“Ideja për me hapë në Traffic ka qenë spontane dhe mënyra si janë realizuar këto punime, d.m.th. tu pi kafe, andaj nga ana konceptuale kësaj ekspozite i është përshtatë më shumë një ambient i tillë”, u shpreh tutje Balaj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë dhe të gjithë ata që janë të interesuar t’i shohin këto punime, do të kenë rast ta bëjnë një gjë të tillë për gjatë gjithë kohës sa qëndron hapur lokali.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme